Mickoski vendos kushte për negociatat me BE-në: Garanci për identitetin dhe zbatimin e vendimeve të Strasburgut
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se është “e padrejtë” që dikush të presë që qeveria e tij të hyjë në negociata me Bashkimin Evropian në një proces ku “nuk ka shenja për një rezultat të suksesshëm”.
Para nisjes për në samitin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Mickoski ka vendosur dy kushte për fillimin e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës, e cila mundëson hapjen e negociatave me BE-në.
“Së pari, duhet të ketë garanci të qarta në formën e përfundimeve nga Këshilli Evropian se askush nuk është kundër identitetit maqedonas, i cili është një konstante shekullore, gjuhës maqedonase, e cila nesër, kur Maqedonia të jetë pjesë e familjes evropiane, do të jetë gjuhë zyrtare në BE, dhe se nuk do të ketë më çështje dypalëshe, dhe procesi do të udhëhiqet nga kriteret e Kopenhagës. Kjo duhet të ndodhë,” tha Mickoski.
Së dyti, sipas tij, për të pasur besim në proces, fqinjët lindorë duhet të zbatojnë ato që politikanët e tjerë kanë pranuar, duke përfshirë zbatimin e Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe regjistrimin e organizatave joqeveritare, siç është “OMO Ilinden-Pirin”, sipas 14 vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Nëse po zbatojmë gjëra që politikanë të tjerë i kanë pranuar, atëherë më e pakta që fqinji ynë lindor duhet të zbatojë është kjo,” theksoi Mickoski.


















