Tensione në Kuvend: LSDM braktis seancën, debate për sistemin “Safe City”

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot janë mbajtur pyetjet e deputetëve të rezervuara për opozitën, të shoqëruara me tensione dhe braktisje të seancës. Deputetët e LSDM-së e lëshuan sallën në shenjë revolte, duke akuzuar se materialet për seancat nuk u dorëzohen me kohë dhe se ministrat shpesh mungojnë në seancat e pyetjeve deputetësh.
Pakënaqësi për mungesën e materialeve shprehën edhe deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim, të cilët kërkuan respektim të rregullores dhe transparencë më të madhe në punën e Kuvendit.
Ndërkohë, në sallë u zhvillua debat edhe për sistemin “Safe City”, i cili aktualisht ndodhet në fazë testuese dhe po implementohet nga Ministria e Punëve të Brendshme. Deputeti Ilir Hasani nga Fronti Evropian kërkoi sqarime të qarta për bazën ligjore të funksionimit të sistemit, veçanërisht në aspektin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe mbikëqyrjes institucionale.
“Cila është baza ligjore e plotë dhe e qartë mbi të cilën funksionon ‘Safe City’, veçanërisht sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, përdorimit të kamerave dhe kontrollit të pavarur ndaj keqpërdorimeve të mundshme? Çfarë ndodh me qytetarët që nuk kanë telefon mobil apo email dhe nuk mund të pranojnë apo ankimojnë dënimet?”, pyeti Hasani.
Në përgjigje, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pranoi se projekti ka filluar me vonesë, por theksoi se bëhet fjalë për një vonesë shumëvjeçare krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.
“Pajtohem me kritikat se kemi filluar vonë këtë projekt. Nëse krahasohemi me vendet e BE-së, ato e kanë implementuar këtë sistem para 10 apo 15 vitesh. Ne jemi vonuar së paku një dekadë, por efektet tashmë po vërehen. Numri i lëndimeve të rënda trupore dhe i të aksidentuarve në komunikacion, për shkak të mosrespektimit të rregullave, është ulur ndjeshëm”, deklaroi Toshkovski.
Debatet rreth procedurave parlamentare dhe implementimit të sistemit “Safe City” pritet të vazhdojnë edhe në seancat e ardhshme, ndërsa opozita kërkon më shumë transparencë dhe garanci ligjore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.



















