Limani dhe Xhaferi vizituan Universitetin “Vision”: Arsimi i lartë, shtyllë e zhvillimit të Gostivarit

Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi, dhe këshilltarët e AKI-së, kanë vizituar Universitetin Ndërkombëtar “Vision”, ku janë pritur nga drejtuesit më të lartë të këtij institucioni arsimor.
Delegacioni u prit nga rektori i universitetit, Prof. Dr. Ahmed Vexhdi Xhan, rektori themelues Prof. Dr. Fadil Hoxha, kryetari i fondacionit “Shar Vardar”, Mefail Rexhep, dekani Prof. Dr. Adnan Vranko, si dhe profesorë të tjerë.
Gjatë takimit u diskutua për vizionin zhvillimor të Gostivarit, rolin e arsimit të lartë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, si dhe perspektivat për zgjerimin dhe fuqizimin e mëtejmë të Universitetit Ndërkombëtar “Vision”.

“Universiteti ‘Vision’ përfaqëson një shtyllë të rëndësishme të dijes në Gostivar dhe një adresë të afirmuar ndërkombëtare të arsimit dhe shkencës. Bashkëpunimi mes institucioneve lokale dhe universiteteve është kyç për të ndërtuar një qytet me perspektivë për të rinjtë,” u shpreh Valbon Limani.
Nga ana e tyre, drejtuesit e universitetit theksuan rëndësinë e mbështetjes institucionale për arsimin e lartë dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar në zhvillimin e qytetit.
“Vision synon të vazhdojë zgjerimin dhe rritjen e cilësisë akademike, duke qenë një urë lidhëse mes dijes, inovacionit dhe zhvillimit lokal,” theksuan përfaqësuesit e universitetit gjatë takimit.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të politikave lokale që e vendosin arsimin dhe dijen në qendër të zhvillimit të Gostivarit. Gazeta Flaka























