BDI reagon ndaj riteve fetare në ambientet e MPB-së: Shkelje e hapur e shtetit sekular

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj publikimit të fotografive nga ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shihet kryerja e një riti fetar mbi automjete zyrtare policore, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të rëndë të parimit kushtetues të shtetit sekular.
“Kjo nuk është ‘traditë’. Kjo është shkelje e hapur e parimit të shtetit sekular”, thekson BDI në reagimin e saj, duke sqaruar se riti nuk është kryer në hapësirë private apo objekt fetar, por në oborrin e policisë, mbi mjete zyrtare të shtetit dhe brenda një institucioni të sigurisë publike.
Sipas BDI-së, Policia e Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion shtetëror që duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve njësoj, pa dallim etnie apo besimi. “Ajo nuk i përket asnjë feje dhe nuk guxon të krijojë perceptimin se ekziston fe dominante apo ‘fe zyrtare’ brenda institucioneve të shtetit”, thuhet në reagim.
Partia vlerëson se përdorimi i hapësirave dhe mjeteve shtetërore për rituale të vetëm një konfesioni dërgon mesazh përjashtues dhe të rrezikshëm për qytetarët e besimeve të tjera. “Kjo nuk është simbolikë e pafajshme, kjo është institucionalizim i fesë dhe shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës”, nënvizon BDI.
Duke rikujtuar se automjetet policore janë blerë me paratë e të gjithë taksapaguesve dhe do të përdoren nga pjesëtarë të policisë me besime të ndryshme, BDI thekson se askush nuk ka të drejtë t’i “shënojë” institucionet publike me simbolikë të një besimi të vetëm. “Shteti ruhet nga ligji dhe Kushtetuta, jo nga uji i bekuar i priftit”, thuhet më tej.
BDI kërkon:
- Sqarim të menjëhershëm publik se kush e ka autorizuar këtë veprim, mbi çfarë baze ligjore dhe me çfarë qëllimi;
- Përgjegjësi institucionale për çdo zyrtar që ka lejuar ose nuk ka parandaluar përdorimin e hapësirave dhe mjeteve shtetërore për rituale fetare.
Në reagim ka edhe një mesazh për koalicionin VLEN/VREDI, duke theksuar se “në vend të zhurmës me statuse në rrjete sociale dhe deklarata për media, kapaciteti duhet të dëshmohet në institucione, me veprime konkrete dhe parandalim të praktikave diskriminuese”.
“BDI respekton lirinë e besimit dhe shprehjes fetare të çdo individi, por liria e besimit nuk nënkupton uzurpim të institucioneve shtetërore. Policia duhet të jetë e të gjithëve, jo e një etnie dhe jo e një feje, duke shkelur Kushtetutën”, përfundon reagimi, duke paralajmëruar se rasti do të ndiqet deri në fund dhe do të kërkohet transparencë e plotë dhe masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. Gazeta Flaka


















