OKB paralajmëron: Bota drejt “falimentimit global të ujit”
Bota po hyn në një periudhë të rrezikshme të ashtuquajtur “falimentim global i ujit”, që po prek miliarda njerëz, paralajmëron një raport i ri i Kombeve të Bashkuara, i cituar nga The Guardian.
Raporti thekson se përdorimi i tepruar dhe ndotja e ujit po e çojnë sistemin global të furnizimit me ujë drejt një pike kritike, pas së cilës pasojat mund të jenë të pakthyeshme për shoqërinë, ekonominë dhe paqen globale.
Sipas gjetjeve, për dekada me radhë shumë vende kanë shfrytëzuar burimet ujore më shpejt sesa natyra mund t’i rigjenerojë ato. Përveç lumenjve dhe tokës, janë dëmtuar rëndë edhe rezervat afatgjata si akuiferët e ujërave nëntokësore dhe ligatinat.
Kriza klimatike po e përkeqëson situatën duke shkaktuar shkrirjen e akullnajave dhe alternime ekstreme mes thatësirave dhe reshjeve intensive. Si pasojë, rreth 75% e popullsisë botërore jeton në vende të klasifikuara si të pasigurta ose kritikisht të pasigurta për ujë, ndërsa mbi dy miliardë njerëz jetojnë në zona që po fundosen për shkak të shterimit të akuiferëve.
Raporti vëren gjithashtu rritje të ndjeshme të konflikteve për ujin që nga viti 2010. Lumenj të mëdhenj si Kolorado në SHBA dhe sistemi Murray–Darling në Australi nuk arrijnë më në det, ndërsa qytete të mëdha kanë përjetuar ditë të tëra pa furnizim me ujë, siç ndodhi në Chennai të Indisë.
Gjysma e liqeneve më të mëdha në botë janë zvogëluar që nga vitet 1990, ndërsa edhe vendet me burime të konsiderueshme ujore përballen me rrezik për shkak të varësisë nga importet ushqimore, prodhimi i të cilave kërkon sasi të mëdha uji.
Sektori i bujqësisë përdor rreth 70% të ujit të ëmbël global. Autori kryesor i raportit, profesori Kaveh Madani, paralajmëron se mungesa e ujit në vende si India dhe Pakistani ka pasoja të drejtpërdrejta në tregjet globale të ushqimit, veçanërisht për eksportet e orizit.
Raporti bën thirrje për ndryshime rrënjësore në menaxhimin e burimeve ujore, duke kërkuar reforma të guximshme politike, ulje të kërkesës për ujë dhe transformim të sektorëve që e shfrytëzojnë atë intensivisht.
Sipas OKB-së, qeverisja e drejtë e ujit është tashmë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit global, pasi falimentimi i ujit po shndërrohet në faktor kyç të zhvendosjeve, konflikteve dhe pasigurisë ndërkombëtare.
Flaka
















