Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxha i bashkohet BDI-së
Partia Demokratike Evropiane (PDE), e udhëhequr nga Arjanit Hoxha, i është bashkuar Bashkimit Demokratik për Integrim. Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët për media të dy subjekteve politike.
“Duke u nisur nga thirrja publike e Bashkimit Demokratik për Integrim për bashkimin e partive politike që ndajnë të njëjtin vizion për përfaqësimin dinjitoz dhe të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sot u zhvillua një takim zyrtar mes Kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Evropiane, z. Arjanit Hoxha,” thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, takimi është zhvilluar në frymë konstruktive dhe me vullnet të ndërsjellë për bashkëpunim politik.
“Takimi u zhvillua në frymë konstruktive dhe me theks të veçantë në nevojën për unifikimin e faktorëve politikë shqiptarë rreth një platforme të përbashkët që garanton stabilitet, përfaqësim të fuqishëm institucional dhe avancim të proceseve euro-integruese të vendit,” theksojnë palët.
BDI dhe PDE bëjnë të ditur se kanë arritur marrëveshje që në të ardhmen të funksionojnë si një subjekt i vetëm politik.
“Palët u dakorduan që në të ardhmen të funksionojnë si një subjekt i vetëm politik në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim, si partia më e konsoliduar dhe e organizuar shqiptare në vend, duke i bashkuar kapacitetet organizative, programore dhe njerëzore në shërbim të interesit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,” thuhet në komunikatë.
Zyrtarizimi i vendimit do të bëhet pas procedurave të brendshme partiake.
“Zyrtarizimi i këtij vendimi, si dhe detajet organizative dhe procedurale të integrimit, do të bëhen publike pas miratimit formal nga Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim,” njoftohet më tej.
Në përfundim, të dyja palët shprehin bindjen se ky bashkim do të ketë ndikim pozitiv në skenën politike shqiptare.
“Të dyja palët shprehin bindjen se ky bashkim do të shërbejë si model i përgjegjësisë politike dhe i unitetit, në funksion të interesit qytetar dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut,” përfundon komunikata. Gazeta Koha
















