Arbër Ademi: Maqedonia e Veriut po hyn në izolim të thellë politik
Maqedonia e Veriut po përballet me një fazë serioze izolimi politik dhe diplomatik, vlerëson Arbër Ademi, duke e lidhur këtë gjendje me zhvillimet e fundit gjeopolitike në Ballkan dhe më gjerë.
“Ngjyra e përhimtë nuk është rastësi. Maqedonia e Veriut po hyn në një izolim të thellë politik. Dimri i vetmisë së madhe ka kapluar shtetin”, deklaron Ademi.
Sipas tij, në hartën e re gjeopolitike të Ballkanit, Maqedonia e Veriut renditet në të njëjtën zonë gri me atë që ai e quan “bota serbe”, duke mbetur jashtë proceseve kyçe ndërkombëtare. Si shembull konkret, Ademi përmend mospjesëmarrjen në Bordin e Paqes të Presidentit amerikan Donald Trump.
“Në hartën e re gjeopolitike të Ballkanit, Maqedonia e Veriut dhe bota serbe shfaqen të përhimta, të paftuara në Bordin e Paqes të Presidentit Trump. Kur të tjerët ftohen në tavolinën e vendimmarrjes, ne mbesim jashtë, pa zë, pa peshë, pa aleatë”, thekson ai.
Ademi paralajmëron se kjo situatë nuk është produkt i rastësisë apo i një momenti të vetëm, por rezultat i një procesi të gjatë vendimmarrjesh të gabuara.
“Izolimi nuk ndodh brenda natës. Ai ndërtohet me politika të gabuara dhe me humbje të besimit ndërkombëtar”, përfundon Ademi. Gazeta Flaka
















