Ligji i ri – Studentë, pensionistë e rastet sociale mund të punojnë pa merak
Ligji për Angazhim të personave me punë, të cilët tani më kanë të hyra tjera nga shteti sikur pensione, ndihmën e garantuar minimale-sociale apo bursa studimi, parashikon që tu mundësoj atyre të punojnë punë shtesë, qoftë ajo e përkohshme disa ditore apo sezonale më së tepërmi në 6 muaj brenda vitit, duke i paraqitur në Agjencinë e punësimit në formë elektronike si punëdhënës fizik apo person juridik-firmë.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se Ligji i ri që filloi të zbatohet nga 01.01.2026, paraqet një hap të rëndësishëm në rregullimin e tregut të punës dhe formalizimin e ekonomisë gri.
“Këtu jemi edhe me inspektorët ku vitet e kaluara, posaçërisht 2025, nga kontrollet e bëra shumë njerëz, siç e thash në fjalim rreth 85 mijë të punësuar në të zezë nuk ishin të paraqitur në Agjencinë për punësim dhe normalisht se ata paguajnë gjoba sipas shkeljeve. Për të shmangur këtë e për të respektuar ligjin kemi bërë këtë kornizë ligjore që ju mundëson t’i paraqesin aq ditë sa ju nevojiten”, tha Besar Durmishi.
Nga Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave, thonë se ky ligj jep mundësi punëtorëve të angazhuar që tu paguhen kontributet për aq ditë e orë sa punojnë, ku studentëve, rasteve sociale dhe punëtorëve që nuk kanë arritur pragun e përmbushjes së pensionit tu llogaritet stazh i punës. Paraqitja temporerëve do të mundësojë edhe lehtësira fiskale për punëdhënësit fizik dhe firmat-kompanitë, tha Marija Risteska.
“Të gjithë ne mund të bëhemi punëdhënës e me këtë ligj të gjithë mund të jemi persona të angazhuar me punë. Platforma digjitale së shpejti do të na ofroj regjistrin për personat e angazhuar me punë dhe do të jetë adresë që nëse ju duhet për shpejtë ndonjë punëtorë, në sektorët e rregulluar si bujqësia, gastronomia, turizëm, shërbime shtëpiake dhe nuk keni kontakte për mjeshtër të tillë, mund ta gjeni në këtë regjistër”, deklaroi Marija Risteska.
Në fazën e parë, ligji mbulon sektorët ku ekonomia joformale është më e theksuar si bujqësia, pylltaria, akomodimet hotelierike, aktivitetet e shërbimit ushqimor kafeteri-restaurante, aktivitetet shtëpiake si mirëmbajtja-pastrimet dhe ruajtja e fëmijëve, punëtorët e postave të shpejta dhe të tjera. Pritjet janë për formalizimin e deri në 12,000 punëtorëve sezonalë në bujqësi dhe rreth 5,400 punëtorëve të padeklaruar në turizëm, hoteleri dhe shërbime, të cilët në total mbulojnë rreth 17,400 persona. Të dhënat Entit shtetëror të statistikave tregojnë se rreth 85 mijë persona janë angazhuar në mënyrë jo formale gjatë vitit 2025, që nënkupton se nuk kanë pasur sigurim shëndetësor apo pensional.

















