Dekor apo pushtet real? ASH: VLEN pranon dështimin
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Zëvendëskryeministrit të Parë, Bekim Sali, i cili ka thënë se “kultura shqiptare për momentin është e cunguar pjesërisht”, duke e cilësuar këtë si skandaloze dhe si pranim publik të dështimit të Qeverisë ku ai vetë është pjesë.
Sipas ASH-së, gjendja e rëndë e kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut është artikuluar prej kohësh nga artistët, krijuesit dhe opozita shqiptare, ndërsa tani ajo po konfirmohet edhe nga vetë zyrtarët shqiptarë në pushtet.
“Kjo nuk është më opinion politik, por fakt i pranuar nga brenda pushtetit”, thuhet në reagim.
Aleanca për Shqiptarët ngre pikëpyetje të drejtpërdrejta mbi rolin e koalicionit VLEN në Qeveri:
“Cili është realisht roli i VLEN-it në Qeveri? A janë dekor politik? Të shantazhuar? Apo të pafuqishëm për të ndikuar në politikat shtetërore?”, pyet ASH.
Nga partia opozitare theksojnë se është e papranueshme që zyrtarë shqiptarë në Qeveri të sillen si opozitë verbale, duke konstatuar probleme pa marrë përgjegjësi për zgjidhjen e tyre.
“Deklaratat kritike nuk e zëvendësojnë veprimin politik dhe institucional”, vlerëson ASH.
Në reagim thuhet gjithashtu se edhe pas dy vitesh në pushtet, shqiptarët nuk kanë parë strategji serioze për kulturën, investime dinjitoze apo mbrojtje të identitetit kulturor.
“Në vend të rezultateve, kemi justifikime dhe deklarata vetëakuzuese”, theksohet më tej.
Në fund, Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi politike nga zyrtarët qeveritarë shqiptarë.
“Qeveria nuk është vend për ankesa, por për vendimmarrje. Kush nuk është i aftë të ndryshojë gjendjen, duhet të mbajë përgjegjësi ose të largohet”, përfundon reagimi i ASH-së. Gazeta Flaka
















