Gostivari bashkon mërgatën: Limani dhe Xhaferi në Kupën e Gostivarit në Zvicër
Sporthalle Tägi në Wettingen të Kantonit Aargau u shndërrua në pikëtakim të mërgatës gostivarase, ku për të tretin vit radhazi u zhvillua “Kupa e Gostivarit në Mërgim 2026”, aktivitet sportiv i organizuar nga Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim.
Ngjarja u ndoq nga afër edhe nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi, si dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri – një prani që i dha peshë institucionale këtij organizimi të mërgatës.
Në fjalën e tij, Limani vlerësoi organizatorët për ruajtjen e vazhdueshme të lidhjes me vendlindjen përmes sportit dhe aktiviteteve shoqërore, duke theksuar se mërgata mbetet një shtyllë e rëndësishme e identitetit dhe solidaritetit komunitar.
“Kupa e Gostivarit” nuk ishte vetëm garë sportive, por dëshmi e një lidhjeje që nuk zbehet me distancën – një hapësirë ku përkatësia, kujtesa dhe uniteti kombëtar marrin formë konkrete.
Nga Komuna e Gostivarit u ritheksua angazhimi për të thelluar bashkëpunimin me mërgatën dhe për të mbështetur iniciativa që forcojnë lidhjet mes Gostivarit dhe bashkatdhetarëve në diasporë. Gazeta Flaka
















