Si ta largoni erën e keqe nga frigoriferi me një produkt natyral
Nëse frigoriferi juaj ka filluar të mbajë erë të pakëndshme, nuk është e nevojshme të përdorni produkte kimike apo aromatizues artificialë. Zgjidhja mund të gjendet në kuzhinën tuaj dhe është krejtësisht natyrale.
Soda e bukës konsiderohet si një nga produktet më efektive për neutralizimin e aromave. Ajo nuk i mbulon erërat, por i thith ato, duke ndihmuar në freskimin e ajrit brenda frigoriferit. Mjafton të vendosni një enë të hapur me sodë buke dhe ta lini për 24 deri në 48 orë. Për të ruajtur efektin, rekomandohet që soda të ndërrohet një herë në muaj.
Ekspertët e pastrimit këshillojnë gjithashtu që frigoriferi të pastrohet rregullisht dhe të kontrollohen ushqimet e prishura, pasi ato janë shkaku kryesor i aromave të pakëndshme.
Përveç sodës së bukës, ekzistojnë edhe alternativa të tjera natyrale. Kafeja e bluar mund të thithë aromat e forta, ndërsa limoni i prerë në feta ose një gotë e vogël me uthull molle ndihmojnë në neutralizimin e erërave dhe freskimin e ambientit.
Një frigorifer pa aroma të pakëndshme jo vetëm që e bën kuzhinën më të pastër, por edhe ndihmon në ruajtjen më të mirë të ushqimeve dhe në higjienën e përgjithshme të shtëpisë.
Flaka
















