Industria gjermane humbi 124 mijë vende pune në 2025, sektori i automobilave më i godituri
Industria në Gjermania ka shkurtuar rreth 124 mijë vende pune gjatë vitit 2025, me sektorin e automobilave në qendër të krizës, sipas një analize të publikuar nga firma konsulente EY.
Numri i të punësuarve në industri ra me 2.3 për qind krahasuar me një vit më parë, duke zbritur në rreth 5.38 milionë persona. Rënia është dy herë më e fortë se ajo e vitit 2024, sipas të dhënave të bazuara në statistikat zyrtare dhe që përfshijnë kompanitë me të paktën 50 punëtorë.
Automobilat, goditja më e madhe
Sektori i automobilave humbi rreth 50 mijë vende pune vetëm gjatë vitit të kaluar. Që nga viti 2019, para pandemisë, kjo industri ka humbur rreth 111 mijë vende pune, ose 13 për qind të fuqisë punëtore.
Në total, që nga viti 2019, industria gjermane ka humbur rreth 266 mijë vende pune, që përfaqëson një rënie prej rreth 5 për qind.
Sipas drejtorit ekzekutiv të EY, Jan Brorhilker, “industria gjermane është në krizë të thellë”. Ai theksoi se të ardhurat e industrisë kanë rënë me pothuajse 5 për qind që nga viti 2023, ndërsa vetëm në vitin 2025 u regjistrua një rënie prej 1.1 për qind. Tremujori i katërt vazhdoi trendin negativ që ka zgjatur për më shumë se dy vjet e gjysmë.
Sektorë në minus dhe në plus
Sektorët e automobilave, tekstilit dhe letrës shënuan rënie të ndjeshme, ndërsa metalet dhe inxhinieria elektrike regjistruan rritje. Industria tekstile dhe ajo metalike pësuan ulje të numrit të të punësuarve me 16 dhe 13 për qind respektivisht.
Nga ana tjetër, sektorët kimikë, farmaceutikë dhe elektroteknikë shënuan një rritje modeste të punësimit, me 3 dhe 2 për qind.
Perspektiva për 2026 dhe 2027
Analiza paralajmëron se shkurtimet e vendeve të punës mund të vazhdojnë edhe në vitin 2026, për shkak të porosive të dobëta dhe konkurrencës së fortë ndërkombëtare. Numri i falimentimeve është në rritje, veçanërisht midis furnizuesve të industrisë automobilistike, ndërsa prodhuesit po zhvendosin gjithnjë e më shumë prodhimin, kërkimin dhe zhvillimin jashtë vendit.
Ekonomistët presin një rritje ekonomike prej rreth 1 për qind këtë vit, pas një periudhe stagnimi, por rikuperimi i plotë i industrisë pritet vetëm në vitin 2027, kur të ndihet plotësisht ndikimi i shpenzimeve qeveritare për ushtri dhe infrastrukturë.
Flaka


















