Kryetari i Gjykatës Kushtetuese si aktor politik

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 17 Shkurt, 2026 19:43

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese si aktor politik

Nga Sefer Selimi

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostandinovski po shndërrohet gjithnjë e më hapur në një prej bartësve kryesorë të narrativës politike të qeverisë për minimizimin dhe çmontimin gradual të frymës së Marrëveshjes së Ohrit. Deklarata e tij e fundit se “nëse parimi i Badenterit futet në Gjykatën Kushtetuese, më mirë t’i vendosim drynin institucionit”, nuk është thjesht një gafë retorike por shprehje e një pozicionimi politik që cenon vetë parimet e kushtetutshmërisë konsensuale mbi të cilat është ndërtuar rendi kushtetues pas vitit 2001.

Së pari, duhet rikujtuar se gjykatësit kushtetues nuk “zbatojnë” Kushtetutën në kuptimin mekanik të fjalës, por e interpretojnë atë. Interpretimi kushtetues, në teorinë juridike është pashmangshëm i ndikuar nga formimi profesional, shkolla juridike, botëkuptimi dhe sensibiliteti politik i secilit gjykatës. Pikërisht për këtë arsye nuk ekziston një (1) gjykatës i vetëm kushtetues, por një trup kolegjial prej nëntë (9) anëtarësh, të cilët vendosin me shumicë votash. Shpeshherë kjo shumicë është minimale, madje edhe me vetëm një votë diferencë, çka tregon qartë se nuk kemi të bëjmë me “të vërteta juridike absolute” por me balancime interpretimesh. Vendimi i shumicës është ai që prodhon efekt juridik por kjo nuk e shndërron automatikisht atë në të vetmin interpretim legjitim.

Së dyti, Kushtetuta nuk është vetëm një normë juridike superiore por paraqet një marrëveshje politike themelore ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Ajo është produkt i një kompromisi historik dhe politik, i cili reflekton realitetin shoqëror, etnik dhe politik të momentit të krijimit të saj dhe evoluon bashk me shoqërinë. Për këtë arsye, ndryshimet kushtetuese kërkojnë shumicë të cilësuar prej dy të tretash dhe në shumë raste edhe shumicë të dyfishtë, sidomos kur preken çështje që lidhen me marrëdhëniet ndëretnike dhe arkitekturën themelore të shtetit. Në këtë kontekst shtrohet pyetja thelbësore: pse investohet kaq shumë kapital politik për ndryshimin e ligjeve sistemore në Kuvend nëse të njëjtat ligje mund të rrëzohen më pas nga Gjykata Kushtetuese me një shumicë të thjeshtë dhe, potencialisht, me mbivotim etnik? Një logjikë e tillë e zbraz nga përmbajtja vetë parimin e konsensusit kushtetues dhe e zhvendos qendrën reale të vendimmarrjes nga legjislativi në një trup që nuk ka legjitimitet demokratik të drejtpërdrejtë. Kjo hap mundësinë për krijimin e një spirale krizash dhe lojrash prapa skene, ku parlamenti “miraton” e Kushtetuesja shfuqizon.

Së treti, rasti i shfuqizimit të mekanizmit “balancues” e bëri të dukshëm në mënyrë të qartë fenomenin e mbivotimit etnik në Gjykatën Kushtetuese. Tre gjykatësit jo-maqedonas votuan kundër shfuqizimit dhe më pas deponuan mendime të ndara, diametralisht të kundërta me vendimin e shumicës. Ky fakt nuk mund të shpjegohet thjesht si dallim teknik interpretimi juridik; ai reflekton, në thelb, një interpretim politik të Kushtetutës, të filtruar përmes perspektivave etnike dhe politike. Pikërisht për këtë arsye, në arkitekturën kushtetuese është paraparë parimi i shumicës së dyfishtë për ligjet që prekin marrëdhëniet ndëretnike. Nëse ky parim anashkalohet në fazën e kontrollit kushtetues, atëherë shtrohet me të drejtë pyetja: pse Neni 28, paragrafi 3 i ligjit për organizim të referendum ndalon referendumin për ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë? Përgjigjja është e qartë: sepse këto ligje konsiderohen si pjesë e bërthamës së ndjeshme të kompromisit politik dhe etnik, e cila nuk duhet të ekspozohet ndaj logjikës së thjeshtë të majorizimit.

Së katërti, paralajmërimi se anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë një këshilltar i Kryeministrit Mickoski vetëm sa e thellon krizën e besueshmërisë së këtij institucioni. Në një situatë ku Gjykata tashmë perceptohet gjerësisht si aktor që po shtyn përpara agjendën programore të VMRO-DPMNE-së, pyetja nuk është më nëse formalitetet procedurale do të respektohen, por nëse do të mbetet ndonjë hapësirë reale për besim publik në paanshmërinë dhe pavarësinë e saj. Një gjykatë kushtetuese që humb besimin publik pushon së qeni arbitër i rendit kushtetues dhe shndërrohet në instrument të luftës politike.

Në këtë kontekst, deklaratat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese sinjalizojnë një prirje shqetësuese për ta reduktuar Kushtetutën nga një kontratë politike dhe shoqërore gjithëpërfshirëse, në një tekst që lexohet dhe riformatohet sipas nevojave të momentit të shumicës politike. Kjo qasje nuk e forcon shtetin e së drejtës; përkundrazi, e rrënon atë nga brenda. Gazeta Flaka

188
SONDAZHI

 Si e vlerësoni punën e ministrit Fatmir Limani?

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 17 Shkurt, 2026 19:43

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
188
SONDAZHI

 Si e vlerësoni punën e ministrit Fatmir Limani?

  • Provimi i jurisprudencës dhe gjuha shqipe – një test për ligjin dhe përgjegjësinë institucionale

<