Bekim Qoku me gjuhë fyese ndaj shqiptarëve
Nga Nafie Selmani
Koordinatori i VLEN-it, Bekim Qoku, paska thënë në shpjegimin e një anektode: “Qasja e shqiptarëve është shkatërruese, e kur shohin një objekt të bukur pyesin sa dinamit duhet për ta shkatërruar atë objekt?
Pyesim Qokun e VLEN-it, agjendën e kujt po e përçon ai me këto përgjithësime anektodash ku shqiptarër i paraqet si shkatërrues?
A e di Qoku se kush i ka përshkruar historikisht shqiptarët si të prapambetur, njerëz me bishta, destruktivë e të paaftë për shtetndërtim? A e kupton se kjo gjuhë është përdorur pikërisht për të justifikuar mohimin, shtypjen dhe përjashtimin tonë politik e kulturor?
Mos vallë ai e ka harruar rrënimin e Kosovës, shkatërrimin sistematik të shtëpive, shkollave e jetëve të shqiptarëve gjatë luftës nga regjimi i Millosheviçit? A ishte “qasja shkatërruese” e shqiptarëve ajo që solli katastrofën, apo politika e një regjimi kriminal që synonte spastrimin etnik?
Jemi kureshtarë ta dimë se vallë a është i informuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për këtë deklaratë skandaloze të këshilltarit të tij? Sepse kur një njeri i pushtetit përdor një gjuhë të tillë, ajo nuk mbetet më thjesht mendim personal, por merr peshë politike.
Kritika është e nevojshme. Por përgjithësimi që stigmatizon një popull të tërë është i rrezikshëm. Ai i shërben më shumë atyre që historikisht kanë dashur të na paraqesin si problem.
Prandaj, Qokut dhe partnerëve të tij ua kujtoj një proverb: “As njëqind lepuj nuk bëjnë kalë.” Sepse sado shumë zëra që flasin njësoj, nuk e bëjnë një tezë të gabuar të vërtetë.














