Këshilli për Organizimin e Kongresit të Aleancës për Shqiptarët, nën drejtimin e Valbon Limanit, mbajti mbledhjen e parë
Në Tetovë është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit për Organizimin e Kongresit të Aleancës për Shqiptarët, menjëherë pas zgjedhjes së Valbon Limanit në krye të këtij organi.
Valbon Limani, njëherësh kryetar i Komunës së Gostivarit, ka mbledhur sonte anëtarët e këshillit në takimin e parë koordinues, duke theksuar se nga ky moment nis zyrtarisht procesi i organizimit të degëve dhe nëndegëve në terren, si dhe konsolidimi i strukturave partiake në nivel lokal dhe qendror.
Organizimi i kongresit do të zhvillohet si një proces gjithëpërfshirës, me fokus në fuqizimin e subjektit politik përmes përfshirjes së figurave të reja, profesionistëve dhe të rinjve, të cilët do t’i japin energji të re vizionit politik të Aleancës për Shqiptarët.
Në kuadër të mbledhjes u diskutuan hapat konkretë organizativë, afatet kohore dhe koordinimi me strukturat ekzistuese, me synim që kongresi të shënojë një fazë të re të riorganizimit, konsolidimit dhe rritjes së partisë.
Procesi organizativ pritet të intensifikohet në javët në vijim, përmes takimeve në terren dhe mobilizimit të strukturave në të gjitha degët e Aleancës për Shqiptarët.














