Mynihu 2026: Mes “politikës shkatërruese” dhe kërkimit për një arkitekturë të re sigurie globale
Nga Memedali Jusufi
Konferenca e Mynihut sivjet ishte e përqendruar në sigurinë kibernetike, duke pasur parasysh sfidën gjithnjë e më të pranishme të terrorizmit kibernetik.
Nga 13–15 shkurt 2026, vëmendja e opinionit publik botëror u përqendrua te Munich Security Conference, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare pas World Economic Forum në Davos. Balanca e brishtë mes rënies së institucioneve të vjetra dhe kërkimit për një arkitekturë të re sigurie karakterizoi këtë konferencë, e cila mblodhi mbi 52 liderë botërorë në një atmosferë që i ngjante më shumë një analize mbijetese sesa një forumi të thjeshtë diplomatik.
Tema qendrore e këtij edicioni, e përmbledhur në termin “politikë shkatërruese”, pasqyron një shqetësim të thellë se sistemi ndërkombëtar i ndërtuar pas vitit 1945 nuk po pëson thjesht lëkundje, por një dekompozim strukturor.
Sfidat kryesore rrotullohen rreth krizës së besimit midis aleatëve transatlantikë, ku roli i Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e Donald Trump shihet si një forcë transformuese që po zëvendëson bashkëpunimin parimor me marrëveshje të ftohta, transaksionale.
Kjo pasiguri mbi besueshmërinë e NATO e detyron Evropën të diskutojë me urgjencë autonominë e saj strategjike dhe forcimin e aftësive ushtarake të pavarura, ndërkohë që vëmendja mbetet e ndarë mes luftës në Ukrainë dhe kërkimit të një zgjidhjeje paqeje në Gaza.
Në këto kohë të turbullta dhe të paqarta gjeopolitike, kur duket se po rivizatohet rendi ndërkombëtar me ngjyra të tjera nga ato të deritanishmet, ndërsa fjalimet e liderëve botërorë janë të mbushura me fraza të ftohta të diplomacisë realiste e shpesh cinike, Konferenca e Mynihut ka qenë shpesh një mundësi për të rindërtuar ura komunikimi, sidomos ato transatlantike — por edhe për të komunikuar kur “urat janë prishur nga stuhitë e gjeopolitikës”.
Raporti i Sigurisë i këtij viti zbulon një ndjenjë të përhapur pafuqie kolektive, ku shumica e qytetarëve në fuqitë e mëdha evropiane besojnë se politikat aktuale po sakrifikojnë mirëqenien e brezave të ardhshëm.
Kjo krizë e brendshme e legjitimitetit kombinohet me kërcënimet e reja teknologjike, ku inteligjenca artificiale, lufta me dronë dhe siguria në hapësirë po e transformojnë rrënjësisht mënyrën se si shtetet e perceptojnë mbrojtjen.
Në këtë mjedis gjeopolitik të kontestuar, ku mungesa e lidershipit tradicional iranian dhe prezenca e figurave si Sekretari i Shtetit Marco Rubio krijojnë dinamika të reja, Konferenca e Mynihut shpresohet të shërbejë si një pikë kthese për të parandaluar fragmentimin e plotë të sigurisë globale.
Përveç aktivitetit kryesor të Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC), që realizohet në kryeqytetin e landit të Bavarisë në një periudhë katërditore gjatë muajit shkurt të çdo viti, konferenca ka krijuar edhe një sërë aktivitetesh mbështetëse. Një prej tyre është Takimi i Liderëve të Konferencës së Mynihut (Munich Leaders Meeting – MLM). Këto takime, të cilat fillimisht u njohën si Takimet e Grupit Qendror (Core Group Meetings), zhvillohen në vende të ndryshme. Takimi i parë u mbajt në Uashington, DC, më 17 nëntor 2009 dhe u përqendrua në debatet mbi gjendjen dhe të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike pas zgjedhjes së Barack Obama si president i SHBA-së.
Vendndodhja ndryshon çdo herë dhe takimet zhvillohen në shtete të ndryshme. Një tjetër aktivitet janë Udhëtimet për Strategjinë e Sigurisë së Mynihut (Munich Strategy Retreats – MSR), ku një grup i zgjedhur prej 30–50 ekspertësh, udhëheqësish dhe studiuesish mblidhen në një mjedis privat për të hartuar rekomandime mbi sfidat më të fundit të sigurisë.
Gjithashtu zhvillohen rregullisht Tryeza të Rrumbullakëta (MSC Round Tables), me numër të ndryshëm pjesëmarrësish, si pjesë e takimeve dhe ngjarjeve ndërkombëtare. Disa prej tyre organizohen në formën e një “samiti” apo bisedash individuale, ndërsa mund të mbahen edhe në formë virtuale. Temat e diskutimit variojnë nga politika evropiane e mbrojtjes deri te çështjet e sigurisë kibernetike dhe sigurisë njerëzore.
Në vitin 2021 u krijua edhe Bordi i Inovacionit të Sigurisë (Security Innovation Board – SIB), duke bashkuar ekspertë nga sektorët e teknologjisë dhe politikës së mbrojtjes për të nxitur shkëmbimin e ideve mbi inovacionin në fushën e sigurisë.
Konferenca zhvillon gjithashtu formatin e diskutimit “Pika e Kthesës” (Zeitenwende), një platformë ku shkëmbehen pikëpamje mbi politikën e sigurisë midis qytetarëve dhe përfaqësuesve nga politika, akademia dhe shoqëria civile, duke realizuar edhe podkastin përkatës.
Pjesëmarrësit synojnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët mes gjeoekonomisë dhe mbrojtjes kibernetike, duke u përpjekur të kuptojnë nëse shkatërrimi i rendit të vjetër do të lërë pas një kaos të pafund apo do të hedhë bazat për një arkitekturë të re sigurie.














