Rama përballë Trump: kur fjala e shtetit ka peshë reale
Urim Saliu
Fjalimi i kryeministrit Edi Rama drejtuar presidentit Donald Trump për katër të akuzuarit shqiptarë ishte një fjalim vërtet brilant. Ai dëshmon qartë përmasat e një lideri të madh dhe mënyrën se si duhet të flasë një burrë shteti në skena ku pesha e fjalës ka kuptim real.
Rama nuk sillet si liderët e vegjël të politikës sonë të përditshme, që grinden për poste të imëta dhe interesa personale. Ai flet si një lider me vizion, si një përfaqësues i një kombi që di të artikulojë dinjitetin dhe shqetësimin e vet atje ku dëgjohet zëri dhe ku vendimet kanë ndikim.
Natyrisht, komentuesit e portaleve dhe rrjeteve sociale do t’i japin këtij fjalimi ngjyrime të ndryshme, do ta relativizojnë ose do ta sulmojnë, por thelbi mbetet i qartë: sepse aty u fol në emër të shqiptarëve, me gjuhën e një shteti dhe me peshën e një përgjegjësie kombëtare.
Ky është patriotizmi i vërtetë , jo ai i zhurmshëm, folklorik dhe i konsumuar nga politika e vogël, por ai që shfaqet në tavolina të mëdha, në adresa të mëdha dhe në momente kur duhet guxim për të folur.
Fatkeqësisht, në hapësirën tonë politike , përfshirë edhe në Maqedoninë e Veriut , politika vazhdon të mbetet peng i interesave të ngushta, poste, tenderë, favore, rehati personale dhe luftë e pandërprerë për pushtet. Shumë prej atyre që sot e quajnë veten politikanë, nuk ndërtojnë ura mes njerëzve, por mbjellin përçarje për ta ruajtur karrigen e tyre.
Prandaj, ky fjalim nuk ishte thjesht një akt diplomatik, por një pasqyrë e qartë e dallimit mes një lidershipi shtetëror dhe një politike të vogël që prej vitesh ka zaptuar hapësirën shqiptare.














