Danimarka kundërshton deklaratën e Donald Trump për dërgimin e anijes spitalore në Grenlandë
Danimarka ka reaguar pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se SHBA-të do të dërgojnë një anije spitalore në Grenlandë për të ofruar kujdes mjekësor.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, theksoi se Grenlanda nuk ka nevojë për ndihmë të jashtme shëndetësore. “Popullsia e Grenlandës merr kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Ata ose e marrin atë në Grenlandë ose, nëse kanë nevojë për trajtim të specializuar, e marrin atë në Danimarkë. Pra, nuk ka nevojë për një iniciativë të veçantë shëndetësore”, deklaroi ai.
Në Grenlandë, ashtu si në Danimarkë, kujdesi shëndetësor është falas. Ishulli arktik ka pesë spitale rajonale, ndërsa spitali në Nuuk shërben si qendër kryesore për pacientët nga i gjithë territori.
Deklarata e Trump erdhi një ditë pasi ai njoftoi se SHBA do të dërgojë një anije spitalore për t’u kujdesur për persona të sëmurë që, sipas tij, nuk po marrin trajtimin e duhur. Ndërkohë, Komanda Daneze e Arktikut bëri të ditur se kishte evakuuar një anëtar të ekuipazhit të një nëndetëseje amerikane pranë brigjeve të Nuuk, pasi kishte kërkuar ndihmë mjekësore emergjente.
Zhvillimi vjen në një moment ndjeshmërie politike për Grenlandën, territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës, që shpesh ka qenë në fokus të interesave strategjike ndërkombëtare.
Flaka














