Kur dielli mungon, si të ruani energjinë dhe optimizmin
Ndërsa reshjet e vazhdueshme pritet të zgjasin edhe për të paktën një muaj në United Kingdom, ekspertët paralajmërojnë për ndikimin që moti i errët dhe i lagësht mund të ketë në shëndetin mendor të qytetarëve.
Në jugperëndim të Anglisë janë regjistruar deri tani 216 milimetra reshje – gati trefishi i mesatares afatgjatë për këtë periudhë. Sipas Met Office, nga java e ardhshme pritet që moti më i lagësht të zhvendoset drejt veriut të vendit.
Duke shkruar për The Conversation, Luke Hodson, profesor asistent në departamentin e psikologjisë në University of Warwick, thekson se ndikimi psikologjik i ditëve të errëta dhe me shi mund të jetë i konsiderueshëm.
Sipas tij, çrregullimi afektiv sezonal (SAD) prek rreth tre në çdo 100 persona në Mbretërinë e Bashkuar, është më i shpeshtë tek gratë dhe shoqërohet me simptoma si mungesë energjie, shtim në peshë dhe nevojë më e madhe për gjumë. Mungesa e dritës së diellit lidhet me nivele më të ulëta të serotoninës, një neurotransmetues kyç për rregullimin e humorit, si dhe me çrregullime të orës biologjike që ndikojnë në gjumë, oreks dhe energji.
Prof. Hodson thekson se ndonëse motin nuk mund ta ndryshojmë, mund të ndryshojmë mënyrën se si reagojmë ndaj tij. Ai sugjeron disa hapa praktikë:
- Kërkoni arsye për shpresë. Lidhni ditët me shi me momente pozitive, si një banjë e ngrohtë, një çaj apo çokollatë e nxehtë, ose kohë cilësore me familjen.
- Vendosni qëllime të vogla. Planifikoni aktivitete sociale apo personale dhe reflektoni mbi ndikimin e tyre pozitiv.
- Praktikoni mirënjohjen. Shënoni çdo ditë tri gjëra për të cilat ndiheni mirënjohës – një ushtrim i thjeshtë që, sipas psikologjisë pozitive, ndihmon në përmirësimin e humorit.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet e vogla në rutinën e përditshme mund të ndihmojnë ndjeshëm në përballimin e zymtësisë që sjell moti i pafund me shi.
Flaka














