Meta mbyll faqen e pavarur të Messenger, përdoruesit kalojnë te Facebook
Meta ka konfirmuar zyrtarisht se do të mbyllë faqen e pavarur messenger.com, e cila do të zhduket gjatë muajit prill. Përdoruesit do të ridrejtohen automatikisht te facebook.com/messages për të dërguar dhe marrë mesazhe nga kompjuteri.
Sipas njoftimit në faqen e ndihmës, pas mbylljes së messenger.com, bisedat do të vazhdojnë të jenë të qasshme përmes Facebook në ueb ose përmes aplikacionit mobil Messenger.
Meta ka bërë të ditur se përdoruesit mund të rikthejnë historikun e bisedave duke përdorur PIN-in që ishte vendosur më herët për kopjen rezervë. Në rast se PIN-i është harruar, ai mund të rivendoset pa probleme.
Vendimi ka nxitur pakënaqësi tek disa përdorues, veçanërisht ata që kishin çaktivizuar llogarinë e tyre në Facebook, por vazhdonin të përdornin Messenger si platformë të pavarur komunikimi. Sipas raportimeve të TechCrunch, mbyllja e faqes shënon një hap tjetër drejt riintegrimit të plotë të Messenger brenda ekosistemit të Facebook.
Ky zhvillim vjen vetëm pak muaj pasi Meta mbylli aplikacionet e pavarura të Messenger për desktop, duke i orientuar përdoruesit drejt versionit në Facebook. Në thelb, kjo lëvizje konfirmon strategjinë e kompanisë për ta kthyer Messenger sërish në një shërbim të integruar brenda platformës kryesore.
Messenger ka një histori të gjatë: fillimisht u prezantua si Facebook Chat në vitin 2008, u bë aplikacion i pavarur në vitin 2011 dhe në vitin 2014 funksioni i mesazheve u hoq nga aplikacioni kryesor i Facebook për t’i shtyrë përdoruesit drejt Messenger. Megjithatë, që nga viti 2023, kompania ka nisur procesin e riintegrimit të tij në aplikacionin kryesor.
Flaka














