Arrestohet shtetasi turk në autostradën Shkup–Kumanovë, transportonte ilegalisht gjashtë emigrantë
Një shtetas turk është arrestuar nga policia në Maqedoninë e Veriut, pasi dyshohet se po transportonte ilegalisht emigrantë me një veturë me targa të Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, më 23 shkurt 2026, rreth orës 21:30, në një stacion karburanti në autostradën Shkup–Kumanovë, punonjësit e policisë e kanë privuar nga liria O.K. (33) nga Turqia.
Ai po drejtonte një veturë të tipit “Skoda” me targa të Kosovës, në të cilën janë gjetur gjashtë emigrantë – tre nga Egjipti dhe tre nga Algjeria.
Sipas policisë, paraprakisht në pikën e pagesës Rramanli, i dyshuari nuk kishte ndaluar pas urdhrit të dhënë nga zyrtarët policorë. Pas ndërmarrjes së masave përkatëse, automjeti është lokalizuar dhe drejtuesi është arrestuar.
Nga MPB bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet padi përkatëse penale për transportim të paligjshëm të emigrantëve.
Autoritetet theksojnë se kontrollet nëpër akset kryesore rrugore do të vazhdojnë me qëllim parandalimin e trafikimit të emigrantëve.
Flaka















