Mashtrim me kriptovaluta në Gostivar: 65-vjeçari humb 22.000 denarë nga profil i rremë në rrjetet sociale
Një 65-vjeçar nga rrethina e Gostivarit ka rënë pre e një skeme mashtrimi përmes rrjeteve sociale, duke humbur gjithsej 22.000 denarë.
Sipas informacioneve nga Sektori i Punëve të Brendshme Gostivar, i dëmtuari ka denoncuar se ishte kontaktuar nga një profil i rremë me inicialet E.K., i cili i kishte ofruar mundësi për investim dhe tregtim me kriptovaluta, duke i premtuar fitime të shpejta dhe të mëdha.
Fillimisht, 65-vjeçari ka kryer një pagesë prej 12.000 denarësh në bankë, në emër të një personi me inicialet M.K. Pas kësaj pagese, ai është njoftuar nga mashtruesit se kishte realizuar fitime të konsiderueshme, por për t’i tërhequr ato duhej të paguante edhe 10.000 denarë shtesë si “tarifë për procedurë”.
Pasi ka kryer edhe pagesën e dytë, viktima ka vazhduar të marrë mesazhe me kërkesa për para të tjera. Në këtë moment, ai ka kuptuar se bëhej fjalë për mashtrim dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Nga SPB Gostivar bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave që qëndrojnë pas profileve të rreme në rrjetet sociale.
Autoritetet apelojnë te qytetarët që të tregojnë kujdes ndaj ofertave për investime të shpejta në kriptovaluta, veçanërisht kur kërkohen pagesa paraprake apo tarifa shtesë për tërheqje fitimesh.
Flaka















