Përplasja për jurisprudencën në shqip: Fillkov mbyll çështjen, ZNAM në krah të tij, BDI reagon ashpër
Debati për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka nxitur reagime të forta politike, pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, se ky provim nuk do të organizohet në shqip.
Fillkov u shpreh i prerë se çështja është e “absolvuar” dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional, jo procedurë administrative.
“Provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe nuk është procedurë administrative”, deklaroi Fillkov, duke lënë të kuptohet se nuk ekziston bazë për ta organizuar atë në gjuhën shqipe.
Deklarimi i tij ka ngjallur reagime të menjëhershme në opinion dhe në skenën politike.
Reagimi i BDI-së
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të ministrit, duke e cilësuar atë si shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Sipas BDI-së, pretendimi se provimi i jurisprudencës nuk do të mbahet në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën maqedonase, përbën “një skandal të paprecedentë dhe cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të shtetit”.
“Ky qëndrim përbën një skandal të paprecedentë dhe cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të shtetit”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI thekson se Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve e përcaktojnë qartë se gjuha shqipe është kategori kushtetuese dhe ligjore, e cila duhet të respektohet në të gjitha procedurat dhe aktivitetet institucionale, përfshirë edhe proceset që ndërlidhen me jurisprudencën.
“Kur një ministër anashkalon me vetëdije një të drejtë të garantuar me Kushtetutë, ai jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore, por dërgon edhe një mesazh të rrezikshëm për institucionet e tjera se ligjet mund të injorohen sipas vullnetit politik. Kjo krijon precedent të papranueshëm dhe inkurajon shkelje të vazhdueshme të rendit juridik”, vlerëson BDI.
Partia e drejtuar nga Ali Ahmeti kërkon përgjegjësi politike për, siç i quan, këto veprime dhe paralajmëron se do të përdorë të gjithë mekanizmat demokratikë për mbrojtjen e gjuhës shqipe si kategori të padiskutueshme kushtetuese dhe ligjore.
“Respektimi i Kushtetutës nuk është çështje vullneti personal, por detyrim themelor për çdo bartës të funksionit publik”, përfundon reagimi.
Qëndrimi i ZNAM-it
Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizja ZNAM, Maksim Dimitrievski, deklaroi se nuk ka marrë asnjë informacion nga kryeministri Hristijan Mickoski për mundësinë e përfshirjes së Fillkovit në një rikonstruim të qeverisë.
Dimitrievski tha se personalisht është i kënaqur me punën e ministrit të Drejtësisë, i cili është kuadër i ZNAM-it.
“Në lidhje me rikonstruimin e qeverisë, tani për tani nuk kam njoftim të tillë nga mandatari, është e drejta e tij. Ndryshe, të gjitha ato deklarata subjektive që janë dhënë nga ana e disa kolegëve kryetarë komunash, liderë ose përfaqësues të disa partnerëve të koalicionit i barazoj në nivel të politikës ditore dhe mbledhjes së pikëve të ulëta politike.
Unë si kryetar i ZNAM jam i kënaqur me punën e ministrit Fillkov dhe gëzon plotësisht mbështetjen time”, tha Dimitrievski.
Debati për gjuhën e provimit të jurisprudencës pritet të thellojë përplasjet politike në vend, ndërsa mbetet për t’u parë nëse çështja do të marrë epilog institucional apo do të zgjidhet përmes interpretimit juridik të dispozitave kushtetuese dhe ligjore në fuqi.
Për përfshirjen e Filkov në listën e ministrave që do të shkojnë në shtëpi nga rekonstruimi qeverisë, kanë folur nga VLEN-i qeveritar. Gazeta Flaka















