Debat i ashpër politik për rastin e Artan Grubit – Akuza për marrëveshje, kundërakuza për presion mbi drejtësinë
Rasti i Artan Grubi ka nxitur përplasje të forta politike, me akuza për marrëveshje të fshehta, reagime nga Qeveria dhe thirrje për respektim të pavarësisë së drejtësisë.
Nënkryetarja e Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Jovana Trençevska, deklaroi në emisionin “Top Tema” se rasti është paraqitur në mënyrë të shtrembëruar në opinion.
“U zgjuam me lajmin se Artan Grubi u arrestua. Në fakt, ai u paraqit vetë në pikën kufitare. Duhet bërë dallim midis vetë-dorëzimit dhe arrestimit”, tha Trençevska, duke shtuar se ekzistojnë “dyshime serioze për një marrëveshje me VMRO-DPMNE-n”.
Ajo theksoi se fakti që, sipas saj, Grubi ka marrë masë arresti shtëpiak pas kthimit në vend, ndërkohë që më herët ishte caktuar paraburgim 30-ditor, ngre pikëpyetje për standarde të dyfishta dhe trajtim selektiv.
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka kërkuar publikisht llogaridhënie të detajuar dhe transparente nga të gjithë akterët e përfshirë në procedurë, duke insistuar që përgjegjësia për masat e shqiptuara të identifikohet me emër dhe mbiemër.
Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e avokatit Vojo Dimoski, i cili e ka akuzuar ministrin për mosnjohje të procedurave penale. Sipas Dimoskit, gjykata nuk mund të caktojë masë më të rëndë sesa ajo që ka kërkuar Prokuroria, e cila në këtë rast kishte propozuar arrest shtëpiak. Ai shtoi se përgjegjësia duhet kërkuar te institucionet e ekzekutivit që kanë dhënë vlerësime për sigurinë.
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan, politizimit të rastit. BDI thekson se është e papranueshme që proceset juridike të zhvendosen nga korniza institucionale dhe të shndërrohen në instrument debati partiak.
“Parti politike dhe funksionarë të lartë po krijojnë klimë histerie dhe presioni publik, duke nënkuptuar fajësi të parapërcaktuar dhe duke ushtruar presion ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë”, thuhet në reagim.
BDI riafirmon se çdo funksionar duhet të përballet me institucionet përkatëse, por kërkon proces të drejtë, të paanshëm dhe të liruar nga ndikimet partiake, duke theksuar se pavarësia e sistemit gjyqësor është shtyllë e sundimit të ligjit.
Rasti i Grubit, përtej aspektit juridik, po shndërrohet në një betejë të hapur politike mes pushtetit dhe opozitës, ndërsa procesi gjyqësor mbetet në fokus të opinionit publik. Gazeta Flaka















