Maqedonia mbi rajonin për blerjet online, por tregu mbetet i ngushtë në kategori
Sipas “Rishikimit të Tregtisë Elektronike të Ballkanit Perëndimor 2025”, të përgatitur nga Shoqata e Tregtisë Elektronike dhe bazuar në të dhënat e Eurostat për vitin 2024, 63.2% e përdoruesve të internetit në Maqedonia e Veriut bëjnë blerje online.
Ky rezultat e pozicionon vendin përpara shumicës së fqinjëve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa vetëm Serbia renditet pak më lart me 65%. Megjithatë, Maqedonia mbetet nën mesataren e Bashkimit Evropian prej 76.6%.
Moda dominon bindshëm
Të dhënat tregojnë se tregtia elektronike në vend është e përqendruar në pak kategori. Plot 73.9% e blerësve online kanë porositur veshje, këpucë dhe aksesorë mode – duke e bërë modën kategorinë më dominuese dhe mbi mesataren evropiane.
Ndërkohë, kategoritë e tjera mbeten dukshëm pas:
- 25.3% blejnë pajisje sportive
- 21.8% kozmetikë dhe produkte “wellness”
- 12.4% produkte për shtëpi dhe kopshte
- 11.4% pajisje teknologjike (kompjuterë, telefona, aksesorë)
- 9.1% lodra dhe produkte për kujdesin ndaj fëmijëve
Shifrat janë edhe më të ulëta për produkte të përditshme si:
- 7.9% produkte pastrimi dhe higjiene
- 7.7% ilaçe dhe shtesa dietike
- 7.6% ushqim dhe pije
- vetëm 2.3% elektronikë dhe pajisje shtëpiake
Shërbimet online mbi mesataren e BE-së
Në segmentin e shërbimeve, Maqedonia shfaq një prirje më të fortë krahasuar me mesataren evropiane. 44.1% e blerësve online paguajnë për shërbime interneti ose celulari online – pothuajse dyfishi i mesatares së BE-së prej 22.4%.
Po ashtu, 33.7% paguajnë shërbime të tjera online (krahasuar me 13.2% në BE). Rezervimet për transport arrijnë në 18.3%, ndërsa 15.5% për hotele.
Në anën tjetër, përmbajtja dixhitale mbetet shumë e kufizuar – vetëm 1.4% paguajnë për abonime të transmetimit të muzikës, duke reflektuar një treg ende në zhvillim për shërbimet digjitale me pagesë.
Raporti tregon se, ndonëse tregtia elektronike në Maqedoni po rritet dhe tejkalon rajonin në disa aspekte, struktura e konsumit mbetet e përqendruar kryesisht në modë dhe pagesa shërbimesh bazë, me hapësirë të madhe për diversifikim në sektorë të tjerë. Gazeta Flaka















