Raportimet në Portalb – Transparenca nuk është faj: Një qëndrim mbi debatin e fundit mediatik

Flaka
Botuar nga Flaka 25 Shkurt, 2026 11:56 Përditësuar

Raportimet në Portalb – Transparenca nuk është faj: Një qëndrim mbi debatin e fundit mediatik

Nga Driton Zenku

Këto ditë, në rrjetet sociale është hapur një debat lidhur me raportimet e Portalb për fushatën zgjedhore dhe për mediat që kanë aplikuar dhe përfituar mjete për marketing politik. Bëhet fjalë për fonde që ndahen nga buxheti i shtetit përmes Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në përputhje me Kodin Zgjedhor në fuqi.

Subjektet politike kishin të drejtë të lidhin kontrata vetëm me mediat që kishin aplikuar brenda afatit të përcaktuar nga KSHZ.

Në raportimet e Portalb u përmend edhe Flaka. Si kryeredaktor, e ndiej për obligim të jap disa sqarime për opinionin publik. Flaka, duke u bazuar në ligjin dhe Kodin Zgjedhor në fuqi, aplikoi brenda afatit të paraparë, me çmimore dhe dokumentacionin e nevojshëm. U aplikua për dy media online që funksionojnë në kuadër të Flaka Media Group: Flaka, agjenci lajmesh e themeluar në vitin 2016 në nivel nacional, dhe Gostivari Sot, e themeluar në vitin 2017 si media lokale në rajonin e Gostivarit.

Ofertën tonë për marketing politik gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit dhe zgjedhjeve të përsëritura në janar në disa komuna e përzgjodhën tre koalicione pjesëmarrëse: LSDM, AKI dhe VLEN. Me to u lidhën kontrata dhe u zbatuan deri në fund, në përputhje me marrëveshjet dhe planet mediatike.

Është me rëndësi të theksohet se Flaka dhe Gostivari Sot u përzgjodhën nga subjekte politike që përfaqësojnë kampe të ndryshme rivale. Kjo dëshmon se si media kemi mbajtur qasje të barabartë dhe profesionale ndaj të gjitha subjekteve. Fondet e përfituara nga marketingu politik janë publike dhe transparente, të verifikueshme në platformën shtetërore Open Finance pranë Ministrisë së Financave.

I gjithë procesi ka qenë ligjor dhe transparent: nga aplikimi në KSHZ, publikimi i çmimeve në platformat tona, shënimi i qartë i përmbajtjeve si marketing politik, e deri te faturimi dhe pagesat. Në të njëjtën platformë janë shfaqur banerë të subjekteve kryesore nga blloku politik shqiptar, si dhe nga kampi maqedonas — një laramani që për ne përbën vlerë të shtuar dhe dëshmi të besueshmërisë sonë.

Sa i përket reagimeve të disa drejtuesve mediash dhe eksponentëve politikë, e konsideroj të panevojshme zgjatjen e një debati për një proces që ka qenë i rregulluar qartë me ligj dhe i realizuar në mënyrë transparente. Në disa raste, reagimet e disa eksponentëve politik, rezultuan të pabazuara, pasi edhe vetë subjektet që përfaqësonin kishin ndjekur të njëjtën procedurë si të gjithë të tjerët.

Për mediat kam një porosi miqësore: nuk ka arsye për kompleks apo shqetësim nga raportime që synojnë transparencën. Përkundrazi, raportime të tilla meritojnë vlerësim. Në rastin konkret, Portalb dhe kolegu Ardit Ramadani — fitues i disa çmimeve të rëndësishme në gazetarinë hulumtuese — kanë trajtuar një temë me interes publik. Nuk ka asgjë personale apo dashakeqe në këtë proces.

Si përfaqësues i medias, do të isha i gatshëm të prononcohesha për Portalb nëse do të më ishte kërkuar një koment. Media nuk duhet të ketë frikë nga transparenca, nga raportimet e kolegëve dhe as nga dhënia e llogarisë para institucioneve kompetente.

Kur llogaritë janë të pastra, transparenca është e qartë dhe ligji është respektuar, nuk ka vend për aludime. Sqarimet janë të mirëpritura; reagimet e panevojshme. Në fund të fundit, themeli i gazetarisë mbetet sundimi i ligjit dhe transparenca. Nëse veprojmë ndryshe, humb kuptimi i misionit tonë si media.

Portalb, si një media online e veçuar për profesionalizëm, me të cilën në disa raste kemi pasur bashkëpunim korrekt në projekte të përbashkëta, i uroj suksese dhe punë të palodhshme në misionin e informimit të drejtë dhe të pavarur. Përkrahja kolegjiale, si gjithmonë, nuk do të mungojë. Gazeta Flaka

41
SONDAZHI

Si e vlerësoni veprimin e Artan Grubit për vetëdorëzim para drejtësisë?

Flaka
Botuar nga Flaka 25 Shkurt, 2026 11:56 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
41
SONDAZHI

Si e vlerësoni veprimin e Artan Grubit për vetëdorëzim para drejtësisë?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?