26 shkurti 2004, dita që tronditi Maqedoninë e Veriut – 22 vjet nga vdekja tragjike e Boris Trajkovskit
Dy dekada e dy vjet pas 26 shkurtit tragjik të vitit 2004, kujtimi për ish-presidentin Boris Trajkovski vazhdon të mbetet i gjallë si simbol i përkushtimit shtetëror dhe si një nga faqet më të dhimbshme të historisë së re të vendit, shkruan Gazeta Flaka
Trajkovski humbi jetën në një aksident ajror pranë Rotimljes, afër Mostarit në Bosnje dhe Hercegovinë, së bashku me anëtarë të kabinetit të tij dhe ekuipazhin e avionit qeveritar.
Përkujtimi në tre lokacione
Përvjetori i tragjedisë shënohet sot në tre vende me simbolikë të veçantë: në Shkup, në vendlindjen e tij Strumicë dhe në vendin e rrëzimit në Bosnje dhe Hercegovinë. Delegacione nga kreu shtetëror, përfaqësues institucionesh dhe familjarë do të vendosin lule të freskëta në varrin e tij në varrezat e qytetit në Butel, si dhe para memorialeve në Rotimlje dhe Strumicë.
Rrëzimi i avionit në vitin 2004
Në mëngjesin fatal të vitit 2004, avioni qeveritar me të cilin presidenti po udhëtonte drejt një konference ndërkombëtare për investime në Bosnje dhe Hercegovinë u rrëzua në zonën e Matiç Bërdos, pranë fshatit Hushkoviqi, jo larg Mostarit. Avioni duhej të ulej në aeroportin e Mostarit rreth orës 08:00, por u zhduk nga radarët. Mbetjet u gjetën vetëm pas 24 orësh, në një terren të vështirë dhe me mjegull të dendur.
Përveç Trajkovskit, në aksident humbën jetën edhe bashkëpunëtorët e tij nga kabineti: Dimka Ilkova-Boshkoviq, Risto Blazhevski dhe Anita Krishan Lozanovska, si dhe Mile Krstevski nga Ministria e Punëve të Jashtme. Jetën e humbën edhe anëtarët e sigurimit Boris Velinov dhe Ace Bozhinovski, si dhe pilotët Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.
Hetimet dhe përfundimet
Hetimi fillestar, i zhvilluar nga autoritetet maqedonase dhe boshnjake, konstatoi se aksidenti ishte pasojë e lëshimeve në procedurat e afrimit drejt aeroportit në kushte të rënda meteorologjike, me mjegull të dendur dhe dukshmëri të kufizuar.
Në vitin 2013, me kërkesë të autoriteteve maqedonase, u hap një hetim i ri i udhëhequr nga një ekip ndërkombëtar i kryesuar nga Omer Kuliq. Edhe raporti i dytë theksoi kombinimin e gabimeve të ekuipazhit dhe dobësive sistemike si faktorë kyç në rrëzimin e avionit.
Profili i tij
I lindur më 25 qershor 1956 në Strumicë, Trajkovski ishte jurist i diplomuar, me specializim në të drejtën afariste dhe marrëdhëniet e punës. Para se të zgjidhej president, ai shërbeu si zëvendësministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e udhëhequr nga Ljubço Georgievski dhe ishte aktiv në proceset politike partiake dhe ndërkombëtare.
Edhe 22 vjet më pas, figura e Boris Trajkovskit mbetet pjesë e kujtesës kolektive dhe e historisë institucionale të shtetit. Gazeta Flaka















