“ASH numër 4” në horizont? Spektri shqiptar drejt fragmentimit të ri
Krahu i udhëhequr nga Arben Fetai brenda Aleanca për Shqiptarët ka mbetur pa asnjë përfaqësues në Kuvend, pas zhvillimeve të fundit që kanë rikonfiguruar raportet e forcave brenda subjektit politik.
Në një iftar të përbashkët me struktura partiake të afërta me ministrin Azir Aliu, deputeti i pavarur Ilir Demiri u rreshtua publikisht krah tij. Burime brenda partisë bëjnë të ditur se edhe deputetja Mimoza Musa, e konsideruar pjesë e krahut të Fetait, ka vendosur të përkrahë opcionin e Aliut.
I pyetur nëse këto lëvizje lidhen me krijimin e një partie të re, Aliu theksoi se prioritet mbetet bashkimi i Aleancës për Shqiptarët dhe jo thellimi i ndasive. Sipas tij, përplasjet e brendshme janë procese të natyrshme demokratike, me synim forcimin e subjektit.
“Në fund të fundit, Ilir Demiri është pjesë e Aleancës për Shqiptarët. Së bashku kemi filluar dhe së bashku duhet të vazhdojmë,” deklaroi Aliu.
Fetai pa mandat, në pikëpyetje edhe posti në qeveri
Me largimin e Musës dhe rreshtimin e Demirit krah Aliut, krahu i Fetait mbetet pa asnjë mandat parlamentar nga zgjedhjet e vitit 2024. Më herët, Musa ishte pjesë e ASH-së së udhëhequr nga Arben Taravari, por pas ndarjes së brendshme kaloi te krahu i mbetur në VLEN dhe në qeveri.
Ndërkohë, deputeti nga Struga, Salim Sulejmani, u tërhoq nga posti i deputetit, ndërsa vendin e tij e zuri Dr. Valbona Adili Emini nga Lëvizja Besa, sipas listës zgjedhore.
Në këto rrethana, në bazë të realitetit të ri politik, Fetai mund të përballet edhe me humbjen e postit të zëvendëskryeministrit në kabinetin e Hristijan Mickoski.
Drejt shkrirjes së strukturave dhe formalizimit të VLEN-it?
Fetai ka njoftuar për një takim të jashtëzakonshëm me strukturat nga i gjithë vendi, ku pritet të merret vendim për shkrirjen e strukturave partiake. Nga tabori i tij theksohet se, si ndër kontribuuesit kryesorë për krijimin dhe mbajtjen gjallë të VLEN-it, do të hidhet hapi i radhës drejt themelimit të VLEN-it si subjekt politik.
Megjithatë, informacione jozyrtare sugjerojnë se në konfigurimin e mundshëm të ri, Fetai nuk parashikohet në hierarkinë drejtuese të partisë që mund të krijohet. Sipas raportimeve, me propozim të Albin Kurti, mund t’i jepet rrugë formimit të VLEN-it si parti unike me këtë përbërje të kryesisë:
- Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti – kryetarë
- Bekim Sali dhe Ilir Demiri – nënkryetarë
- Bekim Qoku – sekretar i përgjithshëm
Fragmentimi i vazhdueshëm i ASH-së
Fillimisht, Aleanca për Shqiptarët u nda mes Ziadin Sela dhe Arben Taravarit. Më pas, ASH-ja e Taravarit u përball me ndarje të re me Arben Fetain. Së fundmi, dinamika tregon një përçarje të re brenda krahut të Fetait, me Azir Aliun që tashmë ka pas vetes dy deputetë, duke e lënë Fetain pa përfaqësim në Kuvend.
Aktualisht, ASH-ja e Sela-s ka tre deputetë të fituar në kuadër të Frontit Evropian, ASH-ja e Aliut ka dy deputetë (përfshirë Mimoza Musën), ndërsa ASH-ja e Taravarit ka tre deputetë.
Zhvillimet e fundit sinjalizojnë një rikonfigurim të thellë të spektrit politik shqiptar në vend, me mundësinë reale të një “ASH numër 4” në horizont. Gazeta Flaka















