“Mjeku” i rremë mashtron 84-vjeçaren dhe i merr 9.600 euro
Një tjetër rast mashtrimi me skemën e “mjekut të rremë” është regjistruar në Manastir, ku një 84-vjeçare ka rënë pre e një telefonate mashtruese dhe ka humbur 9.600 euro, transmeton Gazeta Flaka
Sipas njoftimit të Sektori për Punë të Brendshme Manastir, personi e ka telefonuar të moshuarën duke u prezantuar si mjek dhe i ka thënë se vajza e saj kishte pësuar fraktura dhe duhej t’i nënshtrohej një operacioni urgjent, për të cilin kërkoheshin para.
E bindur nga rrëfimi i rremë, ajo ia ka dorëzuar shumën një personi që kishte shkuar para ndërtesës së saj. Vetëm pasi ka kontaktuar më vonë me vajzën, ka kuptuar se ishte mashtruar.
Një rast i ngjashëm u regjistrua edhe një ditë më parë, kur një 83-vjeçar nga Manastiri raportoi se ishte mashtruar për 10.000 euro. Edhe në atë rast, mashtruesi ishte prezantuar si mjek, duke pretenduar se mbesa e tij kishte rënë nga shkallët dhe kishte nevojë për operacion urgjent.
Nga policia theksojnë se skema është e njëjtë: viktimat kontaktohen me telefon, frikësohen me histori për aksidente të rënda dhe më pas paratë dorëzohen te një person që paraqitet në derën e tyre.
Autoritetet po ndërmarrin masa për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe apelojnë qytetarët, veçanërisht të moshuarit, të verifikojnë çdo informacion të tillë me familjarët para se të dorëzojnë para. Gazeta Flaka















