Përplasje e ashpër mes BDI dhe VLEN për gjuhën shqipe dhe zhvillimet e fundit politike
BDI dhe koalicioni VLEN kanë shkëmbyer akuza të forta publike, duke e zhvendosur debatin nga çështjet arsimore te tensionet politike dhe zhvillimet e fundit brenda kampit politik shqiptar.
Nga BDI reaguan pas deklaratave të ministres Vesna Janevska në Universitetin e Tetovës, lidhur me statusin e gjuhës shqipe. Sipas tyre, deklarimet se në vend ka “një gjuhë zyrtare dhe një tjetër që e flasin komunitetet” përbëjnë relativizim të statusit kushtetues të shqipes. BDI thekson se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, dhe se përdorimi i saj nuk është çështje vullneti politik, por obligim institucional. Njëkohësisht, partia kritikoi VLEN-in për heshtje, duke e cilësuar atë si bashkëpërgjegjësi.
Nga ana tjetër, VLEN akuzon BDI-në për përplasje të brendshme dhe tensione mes strukturave drejtuese. Sipas tyre, situata lidhet me zhvillimet rreth ish-funksionarit të lartë Artan Grubi. VLEN pretendon se brenda BDI-së ekziston ndarje mes drejtuesve aktualë dhe figurave të mëparshme, ndërsa e cilëson Grubin si person që ka njohuri të detajuara për funksionimin e strukturave partiake ndër vite. Ata bëjnë thirrje që institucionet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke theksuar se, sipas tyre, procesi tashmë ka hyrë në një fazë të re.
Debati mes dy subjekteve politike vjen në një moment të ndjeshëm politik, ku çështjet e gjuhës, përgjegjësisë institucionale dhe hetimeve eventuale mbeten në qendër të vëmendjes publike. Gazeta Flaka















