Tre ditë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nga sot deri të shtunën do të qëndrojë për vizitë në Maqedoninë e Veriut, transmeton Gazeta Flaka
Begaj do të takohet sot me Kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhitin, dhe do të pritet nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova si dhe do të zhvillojë takime me përfaqësues të udhëheqjes shtetërore.
Komuna e Çairit njoftoi se kryetari Mexhiti, në frymën e promovimit të bashkëpunimit institucional dhe konsolidimit të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, sot do të presë Presidentin shqiptar Begaj, i cili do të jetë në një vizitë zyrtare në vendin tonë, me një pritje ceremoniale në Komunë.
Pas takimit, së bashku me delegacionin shoqërues, ata do të drejtohen për në Xhaminë Mustafa Pashë dhe do të vizitojnë Çarshinë e Vjetër, ku do të vendosin lule në monumentin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu, pasuar nga interpretimi i himnit kombëtar dhe një program kulturor dhe artistik nga Ansambli Shtetëror.
Të shtunën, Begaj do të viziton Tetovën dhe Gostivarit, ku do të takohet me krerët Bilall Kasami dhe Valbon Limani, sakaq, do të ndalon edhe në Unversitetin e Tetovës.
“Të shtunën, Tetova ka nderin të mirëpresë Presidentin e Shqipërisë. Kjo vizitë është një moment i veçantë për forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve vëllazërore mes shqiptarëve në rajon’, shkruan Kasami.
Në Gostivar, ceremonia zyrtare pritet të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal, në prani të personaliteteve të shquara publike nga Gostivari dhe rrethina. Të ftuar do të jenë ish-kryetarë të komunës, këshilltarë komunalë, përfaqësues të bashkësive fetare, deputetë të zonës si dhe përfaqësues të jetës politike dhe shoqërore. Fjalë rasti në këtë aktivitet pritet të mbajnë Presidenti Begaj, kryetari Limani dhe kryesuesi i Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi, thonë për Gazetën Flaka nga protokolli i komunës së Gostivarit.
Sipas njoftimeve mediatike, vizita e Presidentit shqiptar do të nisë fillimisht në Tetovë, ku ai do të pritet në ambientet e komunës nga kryetari Bilall Kasami.
Presidenti Begaj pritet të shoqërohet gjatë kësaj vizite edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani.
Presidenti shqiptar, do të viziton edhe komunën e Çashkës, e cila për herë të parë në këtë mandat, po udhëhiqet nga një shqiptar. Gazeta Flaka















