Alarm për duhanin tek të rinjtë , rekord i ri në vend
Të dhënat më të fundit për vitin 2024 nxjerrin në pah një situatë shqetësuese për përdorimin e produkteve të duhanit tek të rinjtë në vend. Sipas anketës së realizuar në 75 shkolla me rreth 4700 nxënës të moshës 13 deri në 15 vjeç, 13.6% e nxënësve nga klasa e shtatë deri në të nëntën përdorin aktualisht produkte duhani, duke shënuar prevalencën më të lartë të regjistruar deri më tani.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se 9% e të rinjve përdorin cigare elektronike, më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2016. Ai theksoi se 57% e të rinjve janë ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi, ndërsa 55.4% në hapësira të mbyllura. Sipas tij, shqetësues mbetet edhe fakti që 73.2% e të rinjve që pinë duhan nuk janë ndaluar të blejnë cigare për shkak të moshës.
Drejtoresha e Instituti i Shëndetit Publik, Marija Andonovska, vlerësoi se përdorimi i nikotinës tek adoleshentët duhet të jetë prioritet në politikat shtetërore, duke paralajmëruar për hovin e pajisjeve me nikotinë dhe ndikimin e reklamave, si dhe rrezikun nga ekspozimi pasiv.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Organizata Botërore e Shëndetësisë në vend, Akim Ali, theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit për mbrojtje nga duhanpirja. Sipas tij, një legjislacion i fortë mbron fëmijët, gratë shtatzëna dhe punëtorët, ul pranimet në spital dhe rastet e sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe krijon ambiente më të sigurta pa duhan.
Autoritetet bëjnë thirrje për masa më të ashpra dhe ndërgjegjësim më të madh, duke theksuar se mbrojtja e shëndetit të fëmijëve duhet të jetë prioritet kombëtar.
















