“Alo, alo” në Evropë? A po vjen roamingu si në shtëpi kur jemi atje?
Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski, shprehet optimist se procesi për zbatimin e modelit “Roaming si në shtëpi” me Bashkimi Evropian mund të përmbyllet brenda këtij viti, nëse vendi merr sinjal pozitiv nga institucionet evropiane.
Në një intervistë për emisionin “Top tema” në TV Telma, Andonovski theksoi se aktivitetet e nisura tashmë pritet të motivojnë operatorët e telekomunikacionit që të ofrojnë më shumë lehtësira për qytetarët gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Ai rikujtoi se vitin e kaluar disa operatorë kanë bërë ulje të çmimeve të roamingut apo kanë ofruar paketa dhe përfitime shtesë, duke vlerësuar se kostoja për kompanitë nuk është e madhe, ndërsa për qytetarët përfaqëson një lehtësi të konsiderueshme.
Sipas tij, “Roaming si në shtëpi” është një përfitim që i afrohet rëndësisë së liberalizimit të vizave, pasi u mundëson qytetarëve të përdorin shërbimet telefonike dhe internetin jashtë vendit pa kosto shtesë apo pa pasur nevojë të blejnë kartela të reja SIM.
Ministri theksoi se procesi ka marrë më shumë dinamikë pas kërkesave të bëra në kontekstin rajonal, duke përmendur se vende si Ukraina dhe Moldavia kanë avancuar më herët për shkak të rrethanave specifike. Ai shtoi se vendi do të përmbushë detyrimet ligjore deri në mesin e marsit, nëse merr konfirmim nga BE-ja se legjislacioni është harmonizuar si duhet.
Megjithatë, Andonovski vlerësoi se është e vështirë të caktohen afate të sakta për përfundimin e negociatave, pasi procesi varet jo vetëm nga Komisioni Evropian, por edhe nga shtetet anëtare të BE-së. Pavarësisht kësaj, ai mbetet optimist se qytetarët mund të përfitojnë nga ky regjim brenda këtij viti. Gazeta Flaka
















