Struganët pa ujë të pijshëm prej ditësh, Qyra në agjendë zyrtare në Gjermani
Teksa Struga po përballet prej disa ditësh me mungesë të ujit të pijshëm në disa zona të qytetit, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Gjermani, me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe tërheqjen e investimeve për qytetin.
Banorë të Strugës raportojnë ndërprerje të vazhdueshme të furnizimit me ujë, duke theksuar se situata ka krijuar vështirësi serioze në përditshmëri, sidomos në kushtet e temperaturave të ulëta dhe nevojave bazike familjare. Deri tani nuk ka një sqarim të detajuar publik për kohëzgjatjen e saktë të problemit dhe zgjidhjen përfundimtare.
Ndërkohë, vizita e Qyrës nisi në ambasadë, ku ai u prit nga ambasadori prof. dr. Ylber Sela, të cilin e falënderoi për mbështetjen në organizimin e agjendës zyrtare.
Në Berlin, Qyra zhvilloi një takim me klubin e biznesmenëve nga Maqedonia e Veriut, ku u diskutua për potencialin investues të Strugës dhe mundësitë për projekte të reja zhvillimore. Sipas tij, interesimi për bashkëpunim ishte inkurajues.
Një tjetër takim u zhvillua në komunën e Barleben me kryetarin Frank Nase, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në ekonomi, turizëm, arsim dhe shkëmbim përvojash për zhvillim të qëndrueshëm lokal.
Vizita u përmbyll me pjesëmarrjen në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Gjermani me rastin e pavarësisë së Kosova, ku u theksua rëndësia e ndërtimit të partneriteteve me liderë dhe institucione evropiane.
“Struga meriton më shumë mundësi, më shumë partneritete dhe një të ardhme edhe më të mirë”, theksoi Qyra, duke e cilësuar vizitën si një hap konkret drejt ndërkombëtarizimit të qytetit.
Megjithatë, qytetarët presin që krahas agjendave ndërkombëtare, prioritet urgjent të mbetet zgjidhja e problemit me ujin e pijshëm, i cili prej ditësh vazhdon të rëndojë jetën e përditshme në Strugë.
Edhe BDI ngre shqetësim edhe për furnizimin me ujë të pijshëm, duke rikujtuar se qyteti ka mbetur pa ujë për rreth 20 ditë, situatë që e cilëson si alarmante dhe të paprecedentë.
Sipas tyre, deri më tani nuk është ofruar një plan i qartë afatgjatë për zgjidhjen e problemit. Në reagim përmenden edhe largimet nga administrata komunale, të cilat kryetari i kishte prezantuar si “pastrim institucional”. Gazeta Flaka
















