Arben Fetai zhduket nga skena politike – askush nuk e di nëse është në Shkup apo në Bruksel
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili njihej si drejtues i fraksionit të Aleanca për Shqiptarët që mbeti në qeveri, prej ditësh nuk është parë në skenën publike. Nuk ka informacione nëse ai ndodhet ende në Maqedonia e Veriut apo është larguar drejt Bruksel, ku jetonte dhe vepronte para se të hynte në politikë në vend. Fetai është parë për herë të fundit gjatë vizitës zyrtare në Shkup të presidentit shqiptar Bajram Begaj.
Pas zhvillimeve të fundit në grupimin e tij politik, Azir Aliu mori primatin, duke e sjellë si përfaqësues të ri në VLEN deputetin Ilir Demiri, i cili ishte zgjedhur me votat e BDI dhe Fronti Evropian. Aliut iu bashkua edhe deputetja Mimoza Musa. Me këtë lëvizje, Fetai praktikisht mbeti pa përkrahje parlamentare, duke humbur legjitimitetin politik dhe duke mos pasur më asnjë deputet në Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Fetai sot nuk është parë as në Prekaz, as në Prishtinë, dhe as në promovimet qeveritare të kampusit qeveritar të UNS-së në Shkup dhe fillimin e projektit për parkingjet në qendrën klinike.
Ndërkohë, koalicioni VLEN po përballet me reagime të shumta pas takimit që krerët e tij zhvilluan në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një vizitë që vjen menjëherë pas homazheve në Prekaz, në konakun e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.
Nga VLEN njoftuan se delegacioni u përfaqësua nga bashkëkryetarët Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, ndërsa në kryesi janë edhe nënkryetarët Ilir Demiri dhe Bekim Qoku, si dhe sekretari i përgjithshëm Bekim Sali.
Sipas strukturës së re të krerëve të VLEN-it, përfaqësimi territorial ka ngritur pikëpyetje, pasi në krye të koalicionit nuk ka përfaqësues nga qytete të rëndësishme shqiptare si Kumanovë, Gostivar, Dibër, Strugë dhe Kërçovë. Ndërkohë përfaqësimi kryesor vjen nga Çair dhe Tetovë.
Në lidhje me këtë, aktivistja dhe analistja qytetare Nafie Selmani ironizoi në rrjetet sociale:
“Thuhet se Billi në një takim të ketë thënë: A i ka bë Qoku bile dy vota në Strugë? Të gjithë tjerët tallen me gafet e tij dhe paraqitjet skandaloze të Qokut në media, por Albin ‘baba’ ua ul në krye të vendit e këta zë s’guxojnë me i bë. Mos qofshim në lëkurën e tyre, një babë këtu (Mickovskin) një babë në Kosovë (Kurtin) e kurrë vetvetja Billi e Izzi!”
Edhe analisti politik Sefer Selimi reagoi ashpër, duke paralajmëruar për rrezikun e politizimit të simbolikës së luftës në Prekaz:
“Nuk e di sa është e vërtetë që nesër do të tentohet të keqpërdoret sakrifica sublime në Prekaz e Shaban Jashari, Adem Jashari dhe Hamëz Jashari për të paketuar një konglomerat interesash partiake e individuale si një ‘parti patriotike’ shqiptare.
Një koalicion që në thelb është vetëm një zgjatje ‘shqiptare’ e VMRO-DPMNE dhe që shërben si transmetues, përkthyes dhe amortizues i politikave anti-shqiptare dhe anti-evropiane të kësaj qeverie.”
Ndërkohë gazetari Rami Mislimi e përmblodhi situatën me një koment të shkurtër në rrjete sociale:
“Foto me Kurtin, nënshkrim me Mickoskin!”
Pas vizitës në Kosovë, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti shkroi:
“Pas Prekazit në konakun e Bacit Rifat, në Prishtinë tek kryeministri Albin Kurti. VLEN-i një!”
Megjithatë, reagimet në opinion publik po shtohen, duke ngritur pikëpyetje jo vetëm për përfaqësimin e brendshëm të koalicionit, por edhe për raportin e tij politik mes Prishtinës dhe qeverisë së drejtuar nga Hristijan Mickoski në Shkup.
















