Rexhepi: Ali Ahmeti shumë më parë e ka shembur kazermën ku shërbente Ratko Mladiç
Ish-zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, ka deklaruar se hapësira ku sot ndodhet Universiteti Nënë Tereza në Shkup dikur ishte një kazermë ushtarake ku kishte shërbyer edhe Ratko Mladić, por që sipas tij u transformua falë politikave të Ali Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.
Rexhepi thekson se ky ndryshim ishte rezultat i një procesi institucional që hapi rrugën për krijimin e një qendre të rëndësishme arsimore për shqiptarët.
“Shumë kohë më parë, aty ku dikur ndodhej kazerma ku kishte shërbyer edhe Ratko Mladić, sot qëndron një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit për shqiptarët – Universiteti Nënë Tereza në Shkup,” deklaroi Rexhepi.
Ai shtoi se transformimi i hapësirës u bë i mundur përmes vendimeve institucionale dhe planifikimit urbanistik.
“Me vizionin dhe angazhimin e Ali Ahmeti dhe përmes politikave të BDI-së, kjo hapësirë u transformua rrënjësisht. Pikërisht përmes miratimit të planit urbanistik nga Ministria e Transportit, u hap rruga që ish-kazerma të marrë një funksion të ri dhe të shndërrohet në një vatër të dijes.”
Sipas Rexhepit, sot në vend të një objekti ushtarak që simbolizonte një periudhë të errët të historisë, funksionon një institucion arsimor ku studiojnë dhe punojnë qindra studentë dhe profesorë.
“Në vend të një kazermë që kujtonte një epokë të errët, sot kemi auditorë, profesorë dhe studentë që ndërtojnë të ardhmen,” theksoi ai. Gazeta Flaka
















