Arjanit Hoxha i drejtohet VLEN-it: “Mos e përdorni Prekazin për të larë turpin tuaj politik”
Nënkryetari i BDI-së, Arjanit Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të Prekazit si skenë për propagandë politike, duke theksuar se vendi ka një rëndësi të veçantë historike për shqiptarët.
Në një deklaratë publike, Hoxha tha:
“Prekazi nuk është skenë për fotografi politike. Prekazi është vendi ku gjaku i Adem Jashari dhe familjes Jashari u bë themel i rezistencës dhe lirisë së shqiptarëve. Prandaj është fyerje për çdo shqiptar kur politikanë që kanë dështuar në mbrojtjen e dinjitetit kombëtar vrapojnë drejt Prekazit për të bërë propagandë dhe për të përdorur emrin e familjes Jashari si mburojë për pazaret e tyre të pushtetit.”
Hoxha theksoi gjithashtu hipokrizinë e politikanëve që vizitojnë Prekazin në emër të bashkimit shqiptar, ndërkohë që bashkëqeverisin me figura si Stoilkoviç, të cilin Hoxha e përshkruan si admirues të politikës së Slobodan Milosheviçit dhe të projekteve si “srpski svet”, të përkëdhelura nga Aleksandar Vuçiç:
“Mos e përdorni Prekazin për të mashtruar shqiptarët. Është hipokrizi të shkoni në atë vend të shenjtë në emër të bashkimit, kur të gjithë e dimë se këtë nuk e bëni për shqiptarët, por për të ruajtur pushtetin dhe për të përmbushur obligimet ndaj kumbarëve politikë — ndërsa po heshtni kur nëpërkëmbet gjuha shqipe, kur hiqen mekanizmat që garantojnë përfaqësimin e shqiptarëve në punësim, kur shqiptarët nënçmohen në polici, ushtri, spitale dhe institucione arsimore, kur studentëve shqiptarë u mohohet e drejta të japin provime në gjuhën e tyre amtare, kur stadiumet mbushen me kore raciste kundër ekipeve shqiptare, dhe kur partnerët tuaj të koalicionit shfryjnë mllefin ndaj shqiptarëve çdo ditë.”
Hoxha përfundoi mesazhin e tij duke rikujtuar amanetin e familjes Jashari:
“Prekazi nuk është dekor për politikë të vogël. Prekazi është amanet. Amaneti i familjes Jashari nuk ishte që pushteti të mbahet duke qenë i dëgjueshëm ndaj padronëve, por që shqiptarët të jetojnë me dinjitet, barazi dhe krenari në tokën e tyre. Prandaj, kur të hyni në Prekaz, të paktën ulni kokën dhe skuquni. Sepse po shkelni mbi tokën që u la me gjakun e familjes Jashari — dhe ai gjak nuk mund të përdoret për të mbuluar pazaret tuaja politike.”
















