Marsh për 8 Marsin në Gostivar: “Heshtja e tyre, zëri ynë!”
Sot në Gostivar, Qendra për të Drejtat e Grave Etika organizoi një marsh simbolik për 8 Marsin, me thirrjen “Heshtja e tyre, zëri ynë!”, që filloi në orën 12:00.
Qëllimi i marshit ishte të tërhiqte vëmendjen mbi dhunën ndaj grave, fenomen që, sipas organizatorëve, mbetet një plagë e pashëruar. Në komunikatën e Qendrës Etika theksohet:
“Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një plagë e pashëruar e fshehur pas fjalës ‘turp’, frikës se mos e kupton dikush, paragjykimeve, varfërisë ekonomike, mosveprimit të institucioneve e shumë faktorë të tjerë.”
Organizatorët e konsiderojnë marshin më shumë se një aktivitet simbolik:
“Ky është më shumë se një marshim – është një thirrje për respekt, drejtësi dhe ndryshim. Le të qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, të dëgjojmë historitë e tyre dhe të bëhemi zëri që shumë herë mungon.”
Pjesëmarrësit u ftuan të mos heshtin, të ngrijnë zërin dhe të tregojnë guximin për të kundërshtuar dhunën ndaj grave.
“Mos hesht. Ngri zërin. Bëhu guxim,” ishte mesazhi i fundit i Qendrës Etika për qytetarët e Gostivarit.
Marshi shënoi një mënyrë të fuqishme të reflektimit dhe solidaritetit për gratë, duke sjellë në vëmendje nevojën për ndryshim shoqëror dhe mbrojtje të të drejtave të grave. Gazeta Flaka
















