Tërmet 5.4 ballë në veri të Greqisë pranë kufirit me Shqipërinë, ndihen pasgoditje
Një tërmet me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter është regjistruar në veriperëndim të Greqisë, shumë pranë kufirit me Shqipërinë, sipas të dhënave të Institutit Gjeodinamik të Athinës.
Lëkundja sizmike ndodhi në orën 05:32 sipas kohës lokale, në një thellësi rreth 5 kilometra. Epiqendra u lokalizua rreth 10 kilometra në veriperëndim të Lepokarisë, në rajonin e Thesprotisë, pranë kufirit greko-shqiptar.
Tërmeti u ndje në disa zona të rajoneve të Epirit dhe Thesalisë, si dhe në disa ishuj të Detit Jon. Sipas sizmologut Efthymis Lekkas, president i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen Antisizmike, thellësia e vogël e tërmetit bëri që lëkundjet të ndiheshin më fort nga banorët.
Pas tërmetit kryesor janë regjistruar edhe disa pasgoditje. Njëra prej tyre arriti magnitudën 4.7 Rihter, ndërsa një tjetër 3.4 Rihter. Ekspertët thonë se këto lëkundje mund të jenë një sinjal pozitiv, ndërsa pritet të konfirmohet nëse tërmeti 5.4 ballë ishte goditja kryesore.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin hyrjen në banesat që mund të kenë pësuar edhe dëmtime minimale derisa të kryhen kontrollet nga specialistët.
Prefekti i Epirit, Aleksandros Kahrimanis, deklaroi se pasgoditjet po vazhdojnë, por deri tani nuk janë raportuar dëme serioze. Sipas tij, tërmeti është ndjerë veçanërisht i fortë në komunën e Zitsas.
Ndërkohë, nënkryetari për Mbrojtjen Civile i bashkisë së Janinë, Efthimios Hrisostomu, bëri të ditur se shumë banorë dolën të frikësuar jashtë shtëpive. Në disa zona u raportuan edhe ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
“U zgjuam menjëherë nga shtrati, zhurma ishte shumë e fortë dhe u trembëm shumë”, tha një banor i fshatit Grameno në rajonin e Janinës.
Sipas të dhënave sizmologjike, pas tërmetit kryesor janë regjistruar edhe disa pasgoditje të tjera me magnitudë nga 2.4 deri në 3.5 Rihter. Deri tani nuk raportohen dëme në Thesproti, Janinë apo në jug të Shqipërisë.
Flaka
















