BDI i përgjigjet Hristijan Mickoski: Gjuha shqipe është obligim ligjor, jo çështje politike
Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo nuk është një çështje e trashëguar, por një e drejtë që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
“Deklarata e Kryeministrit se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është ‘problem i trashëguar’ është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për moszbatimin e një të drejte që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti theksojnë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe se kjo nuk është interpretim politik, por realitet kushtetues dhe ligjor që duhet të respektohet nga çdo institucion shtetëror.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua për të garantuar barazinë gjuhësore dhe për të përforcuar karakterin multietnik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur këtë ligj si ‘problem’ apo për të transferuar përgjegjësinë tek të tjerët nuk i shërbejnë as së vërtetës dhe as stabilitetit institucional të vendit”, theksojnë nga BDI.
Sipas tyre, studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje, por vetëm zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.
“Qeveria ka obligim të zbatojë ligjin, jo ta relativizojë atë përmes arsyetimeve politike. Çdo vonesë apo pengesë në realizimin e kësaj të drejte përbën një hap prapa për barazinë dhe për standardet demokratike të shtetit”, thuhet në reagim.
BDI shton se shteti është ndërtuar mbi parimin e barazisë ndërmjet komuniteteve dhe respektimit të të drejtave gjuhësore, duke theksuar se këto parime nuk janë të negociueshme dhe nuk mund të trajtohen si “probleme të trashëguara”, por si obligime që duhet të zbatohen. Gazeta Flaka
















