Hapet solemnisht xhamia e renovuar në Balindoll të Gostivarit
Në prezencë të shumë besimtarëve, sonte u bë hapja solemne e renovimit të tërësishëm të xhamisë në fshatin Balindoll i Ri, në Komunën e Gostivarit. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të lartë të Bashkësisë Fetare Islame, hoxhallarë, përfaqësues të jetës publike, afaristë dhe intelektualë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kreu i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga nikoqiri i ngjarjes, Muftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli me stafin e tij, si dhe mysafiri special nga Mbretëria e Arabisë Saudite, shejh Ahmed Ibrahim el-Kasimij.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Muftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli vlerësoi lartë realizimin e këtij projekti, duke theksuar rëndësinë e tij për komunitetin lokal dhe për jetën fetare në rajon.
“Kjo vepër madhore hyn në analet e historisë së arkitekturës së re të këtij vendi, me një mjeshtëri të veçantë që nga dita e sotme, duke dëshmuar përkushtimin dhe dashurinë e besimtarëve për shtëpinë e Zotit,” tha Zendeli.
Ndërkaq, në fjalën e tij, Reisul Ulema i BFI-së H. Hfz. Shaqir ef. Fetai përshëndeti të pranishmit dhe foli për vlerën e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së xhamive si qendra shpirtërore dhe komunitare.
“Kjo është një shtëpi e Zotit në tokë, e renovuar në tërësi dhe e lënë për jetë e mot. Vlerësoj lartë zemërgjerësinë e banorëve të Balindollit dhe të gjithë atyre që kontribuuan pa kursyer nga vetja e tyre që ky bejtullah të ketë këtë pamje mahnitëse,” u shpreh Fetai.
Me këtë rast, Reisul Ulema së bashku me Muftiun e Gostivarit ndanë edhe mirënjohje për disa personalitete që kontribuuan në realizimin e projektit, ndër ta imamin e xhamisë Muhamed ef. Selimi, kryetarin e Këshillit të Xhamisë Nadir Limani, si dhe përfaqësuesin e Këshillit Iniciativ H. Zulfi Iseini, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm deri në përfundimin e renovimit.
Ngjarja u përmbyll me një iftar solemn të organizuar enkas për këtë rast, duke i dhënë një vlerë të veçantë këtij momenti për besimtarët dhe komunitetin e Balindollit. Gazeta Flaka
















