Nuk preket gjuha shqipe – Mos luani me zjarr!
Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, deklaroi për televizionin Tëvë1 se gjuha shqipe është zyrtare në vend për shkak të përqindjes së shqiptarëve në Maqedoni, por theksoi se sfida kryesore mbetet zbatimi praktik i ligjit.
“Është zyrtare për shkak të 20% të popullsisë që jeton këtu. Ligji për gjuhët është ndryshuar disa herë që të përmirësohen të drejtat e komunitetit shqiptar,” tha Pendarovski, duke shpjeguar se përdorimi i shqipes është rregulluar përmes ligjit për gjuhët që ka hyrë në fuqi që nga viti 2008 dhe është përditësuar disa herë.
Ai vuri në dukje se aktualisht para Gjykatës Kushtetuese ekziston një mocion që sfidon ligjin për gjuhët, duke pretenduar se përdorimi i shqipes nuk është në përputhje me Kushtetutën. “Kjo do të jetë një çështje serioze nëse gjykata vendos për të asgjësuar ligjin,” tha Pendarovski.
Megjithatë, ai shtoi se problemi më i madh nuk është ligji vetë, por mungesa e zbatimit të plotë në institucione dhe gjykata. “Shqiptarët mund ta përdorin gjuhën e tyre, por shpesh nuk shihet zbatimi praktik. Nëse ligji mbetet vetëm në letër, ai nuk i shërben qytetarëve,” përfundoi ish-presidenti.
















