LSDM është “zbrazur nga kuadrot – Dorëheqje e udhëheqësisë – Ja kush e kërkon!
Ish-funksionari i LSDM-së dhe ish-kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, ka kritikuar gjendjen aktuale brenda partisë së tij, duke vlerësuar se LSDM është dobësuar seriozisht në aspektin kadrovik dhe politik. Ai paralajmëroi se së shpejti një grup më i madh socialdemokratësh do të kërkojë dorëheqjen e udhëheqjes aktuale të partisë, me qëllim hapjen e rrugës për ndryshime në drejtim dhe organizim.
Në emisionin e mbrëmjes “Tema e Ditës” në Sitel, Shilegov deklaroi se LSDM-ja është “zbrazur nga kuadrot”, ndërsa sipas tij, partia duhet të kthehet te një logjikë më e shëndoshë politike. “Do të përpiqemi të arrijmë te një logjikë e shëndoshë politike dhe t’u kërkojmë njerëzve që aktualisht e drejtojnë partinë që të mos e bëjnë më këtë. Të vijnë disa të tjerë për ta udhëhequr partinë”, tha Shilegov.
Ai shtoi se kjo do të jetë një “proces” që do të udhëhiqet nga njerëz të cilët politikisht janë rritur brenda LSDM-së. Sipas Shilegovit, dobësia e LSDM-së po bën që qytetarët me qëndrime kritike ndaj pushtetit ta kërkojnë opozitën te partia Levica. “Tek qytetarët ndjenja opozitare është e lartë, por me një LSDM të organizuar në këtë mënyrë pa identitet dhe pa mundësi për të tërhequr votues të rinj, duhet të kërkohet një qasje tjetër”, theksoi ish-kryetari i Shkupit.
















