Raportohet sulm tjetër: Kush janë “Vojvodët” dhe çfarë përfaqësojnë?
Para pak çastesh, një grup prej mbi 20 personash kanë sulmuar disa të rinj në qendër të Tetovës. Sipas informatave të Televizionit Koha, ka pasur edhe përleshje fizike. Edhe mbrëmë, i njëjti grup ka sulmuar një të ri shqiptar dhe kjo po konsiderohet një gjendje alarmante që duhet të zgjojë autoritetet, pasi mund të eskalojë në sulme ndëretnike. Ekipet e policisë janë në qendër të Tetovës.
Në shtator të vitit të kaluar, po ashtu, një incident i rëndë ndodhi në Tetovë, ku dy nxënës të rinj shqiptarë të Shkollës së Mesme Ekonomike u sulmuan nga mbi 20 tifozë të Grupit “Vojvodët”.
Ndërkohë që Flaka, përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes.
“Vojvodët” është një grup tifozësh nacionalistë nga Tetova, i lidhur historikisht me klubin e futbollit Teteks dhe i njohur për retorikë dhe incidente me përmbajtje etnike; në disa raste anëtarë të këtij grupi janë përfshirë edhe në sulme ndaj të rinjve shqiptarë në qytet.
Shfaqja e grupit të ashtuquajtur “Vojvodëve” në Tetovë ka rikthyer debatet për provokimet ndëretnike dhe rolin e grupeve nacionaliste në hapësirën publike. Me simbolikë të fortë nacionaliste dhe retorikë provokuese ndaj shqiptarëve, ky grup po rikthehet në vëmendje, duke ngritur pyetjen: kush janë në të vërtetë “Vojvodët” dhe çfarë qëllimi kanë në një qytet me shumicë shqiptare?
Tetova, si një qytet me shumicë shqiptare dhe me histori të ndjeshme ndëretnike, shpesh ka qenë skenë e tensioneve mes grupeve të tifozëve. Në këtë kontekst, shfaqjet publike të “Vojvodëve” me flamuj, slogane apo marshime interpretohen nga shumë qytetarë shqiptarë si provokim i drejtpërdrejtë. Gazeta Flaka
















