Zvicra refuzon kërkesat e SHBA-së për avionë zbulues mbi territorin e saj
Qeveria e Zvicrës ka refuzuar dy kërkesa të Shteteve të Bashkuara për fluturime të avionëve zbulues ushtarakë mbi territorin zviceran, duke përmendur rregullat e neutralitetit të vendit në kontekstin e tensioneve midis SHBA-së, Izrael dhe Iran, njoftoi sot Këshilli Federal Zviceran.
Sipas një deklarate nga qeveria në Bernë, dy kërkesat për fluturime të avionëve zbulues të planifikuara për më 15 mars u refuzuan, ndërsa u miratuan disa fluturime të tjera, përfshirë një fluturim pas mirëmbajtjes së avionit më 17 mars dhe dy fluturime të avionëve transportues më 15 mars.
SHBA-ja ende ka një leje vjetore për avionët shtetërorë, por ajo nuk përfshin fluturime që mund të interpretohen si mbështetje ushtarake në një konflikt ndërkombëtar. Të gjithë avionët e tjerë duhet të marrin leje individuale nga Zyra Federale për Aviacionin Civil.
Deklarata e qeverisë zvicerane thekson se “e drejta e neutralitetit ndalon fluturimet nga palët në konflikt që kanë një qëllim ushtarak”. Kërkesat e këtij lloji shqyrtohen në konsultim me ministritë e jashtme, të mbrojtjes dhe të ekonomisë, për të garantuar respektimin e sovranitetit ajror të vendit.
Flaka
















