Fetai i del zot ASH-së: “Pa mua VLEN do të rrënohej”
Në një deklaratë për publikun, Arben Fetai theksoi se gjatë 10 viteve të angazhimit të tij në Aleancën për Shqiptarët (ASH) është udhëhequr gjithmonë nga bindjet dhe parimet, jo nga kalkulimet politike:
“Kur u distancova nga hyrja e ASH-së në qeverinë SDSM-BDI nën diktatin e Selës; kur si shef i kabinetit të Taravarit punova që ASH të jetë themeluese e koalicionit VLEN; dhe kur, si kryetar i Kuvendit të ASH-së dhe zëvendës-Kryeministër, me zemër të thyer ndava rrugët me mikun tim të ngushtë Taravarin, sepse ai zgjodhi të koalicionojë me BDI-në, duke shpëtuar kështu edhe VLEN-in edhe qeverinë,” deklaroi Fetai.
Ai shtoi se sot kërkon që bashkimi i VLEN-it të ndërtohet mbi një vizion të qartë, vlera, parime dhe rregulla të përcaktuara mirë, pa imponim, nxitim apo tradhti:
“VLEN-i më ka borxh personalisht, por mbi të gjitha çdo aktivisti dhe çdo votuesi të ASH-së. Pa angazhimin tonë, sot nuk do të ekzistonte VLEN-i. Pa ne, BDI-ja, pa më të voglën dilemë, do të ishte kthyer në pushtet përmes skenarit të zgjedhjeve të dyfishta. VLEN duhet të jetë mirënjohës për këtë,” u shpreh Fetai.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e fakteve dhe debatit të bazuar mbi argumente:
“E vërteta del vetëm me fakte, jo me insinuata. Jam i hapur për çdo debat të bazuar në argumente. Le të pyeten Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Bekim Sali dhe Bekim Qoku se çfarë mosmarrëveshje kanë patur ndonjëherë apo kanë sot me mua. Të tjerët që shpikin ‘mosmarrëveshje’ janë thjesht mercenarë dhe tradhtarë,” përfundoi Arben Fetai.
















