Maqedonia e Veriut parë nga një kënd ndryshe
Nga Memedali Jusufi
Shqiptarët në Maqedonia e Veriut përbëjnë një popullsi autoktone dhe komunitetin e dytë më të madh në vend, me një përqindje të konsiderueshme (rreth 24–30% sipas vlerësimeve të ndryshme), të përqendruar kryesisht në pjesën veriperëndimore dhe në kryeqytet. Ata gëzojnë të drejta të garantuara kushtetuese, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, dhe janë një faktor kyç në stabilitetin politik dhe në procesin e integrimit evropian të vendit.
Megjithatë, sipas analistit të njohur nga Tirana, Cerciz Loloci, roli i shqiptarëve ka pësuar rënie në vitet e fundit. Ai thekson se dikur ky komunitet përfaqësohej fuqishëm dhe kontribuonte ndjeshëm në integrimet euroatlantike të shtetit, ndërsa sot, për shkak të mungesës së rinovimit të elitave, korrupsionit dhe përçarjeve të brendshme, është bërë më pak ndikues.
Sipas Lolocit, demokracia i ka vënë në provë elitat politike në vend. “Nuk ka shtet tjetër në botë ku ushtrohen përgjegjësi të mëdha dhe mandati i presidentit është i kufizuar, ndërsa në hapësirat tona politikanët sillen si komandantë që largohen nga politika vetëm me vdekjen”, shprehet ai.
Ai vlerëson se një demokratizim i brendshëm i partive politike, përfshirja e gjeneratave të reja, konkurrenca e ndershme dhe bashkërendimi më i mirë mes faktorëve politikë do të sillnin një panoramë krejt tjetër. Sipas tij, kjo do të mundësonte edhe krijimin e një tregu panshqiptar, i cili nuk do të dëmtonte askënd, por përkundrazi do të kontribuonte në zhvillimin e rajonit, përfshirë edhe fqinjët.
Këto qëndrime Cerciz Loloci i ka shprehur në emisionin e përjavshëm “Pa Kufij”, një projekt i përbashkët mediatik që realizohet nga radiot publike në Shkup, Tiranë, Podgoricë dhe Kosovë.
Ai thekson se gjithmonë e pret me kënaqësi ftesën nga publicisti dhe poeti Jaho Margjeka, i cili drejton këtë emision që transmetohet çdo të enjte dhe bashkon zërat shqiptarë nga të gjitha hapësirat.
Në edicionin e fundit, tema e debatit ishte situata politike në Maqedonia e Veriut. Në panel morën pjesë moderatorët Mirvete Uka, Memedali Jusufi dhe Senad Gilaj, si dhe të ftuarit prof. dr. Nuri Bexheti, analisti Besim Hoda dhe Admir Nikaj.
Në përfundim, Loloci thekson se një shtet që ndërtohet mbi dy bashkësi shtetformuese – maqedonasit dhe shqiptarët – nuk mund të ketë stabilitet nëse prishet balanca mes tyre. Sipas tij, në zgjedhjet e fundit një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi vetë faktorin shqiptar, i cili në disa raste është bërë i pafuqishëm dhe i pandikueshëm.
Ai shton se, ndonëse mund të ketë mangësi edhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare në kujdesin ndaj shqiptarëve jashtë kufijve, problemet kryesore duhet kërkuar brenda vetë skenës politike shqiptare në Maqedonia e Veriut.
















