Tetova ndez debat: Privatizim i ujësjellësit apo partneritet publiko-privat?
Debati publik mbi studimin e fizibilitetit për shërbimet e ujit në Tetovë ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët, opozita dhe shoqëria civile, të cilët paralajmërojnë se procedurat mund të çojnë drejt privatizimit të ndërmarrjes për ujësjellës dhe kanalizim.
Shoqata ‘Më Mirë për Tetovën’ tha se edhe pse uji nuk do të shitet, shërbimet nga partneriteti publiko-privat do t’i paguajnë qytetarët, siç ndodhi me partneritetin për mbeturinat.
“Zgjidhja që gjendet nga komuna bie përsëri mbi qytetarët. Edhe orëmatësit që do të vendosen nëpër shtëpi do t’i paguajnë qytetarët që përdorin shërbimin,” tha Elmedina Abdullai.
Edhe këshilltari i BDI-së, Berat Murati, paralajmëroi se projekti shkon drejt privatizimit të orëmatësve.
Debati zgjedhor: Rexhepi pohonte, Kasami mohonte
Në zgjedhjet lokale të fundit, Bajram Rexhepi e cilësoi qasjen e komunës si privatizim të mundshëm, ndërsa Bilall Kasami e mohoi këtë, duke theksuar se bëhet fjalë për partneritet publiko-privat për matje, faturim dhe inkasimin e ujit, jo për shitjen e ujit.
Kasami sqaroi se studimi fizibiliteti tregoi se komuna nuk ka ujëmatës dhe nuk ka informacion të mjaftueshëm për humbjet në rrjet, ndaj përfshirja e një partneri privat është e nevojshme për teknologji dhe menaxhim, ndërsa investimet publike do të vazhdojnë.
“Qytetarët që paguajnë rregullisht do të kenë furnizim më të rregullt dhe tarifa më të ulëta, ndërsa ata që nuk paguajnë do të sanksionohen përmes sistemit inteligjent të orëmatësve,” tha Kasami.
Shembuj rajonalë
Në rajon, modelet ndryshojnë:
- Shqipëria ka partneritete të përziera.
- Kosova dhe Serbia mbeten kryesisht me shërbim publik.
- Bullgaria ka përfshirje private në disa zona, por pronësia mbetet publike.
Korniza ligjore në Maqedoninë e Veriut
- Shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit janë pronë publike komunale.
- Ligji lejon vetëm partneritete publiko-private ose kontraktim të menaxhimit të pjesëve të shërbimit, jo privatizim të plotë.
- Çmimet dhe tarifat e ujit rregullohen nga Komisioni Rregullator për Energji, duke garantuar kontroll dhe mbrojtje të interesit publik.
Tetova përdor dy rrjete ujësjellësi: gjatë vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga rrjeti i Leshnicës, ndërsa në pranverë dhe verë nga rrjeti i Kodrës së Diellit dhe rezervat e Malit Sharr.
Debati i djeshëm tregon se menaxhimi i ujit mbetet çështje politike dhe sociale, dhe Tetova po shërben si test për mënyrën se si mund të menaxhohet uji në Maqedoninë e Veriut.
Privatizim i pjesshëm i shërbimit të mbeturinave
Në vitin 2023, Komuna e Tetovës nënshkroi një marrëveshje partneriteti publiko-privat me kompaninë austriake Saubermacher AG, përmes përfaqësuesit të saj në Slloveni, për grumbullimin dhe asgjësimin e mbeturinave komunale në të gjithë territorin e komunës deri te deponia rajonale Rusino.
Ky hap shënoi një “privatizim të pjesshëm” të shërbimit publik të mbeturinave, ku ndërmarrja ekzistuese publike NKP Tetovë u transformua dhe disa punonjës u integruan në kompaninë e re.
Saubermacher investoi në modernizimin e pajisjeve, trajnimin e stafit dhe ngritjen e standardeve të menaxhimit, duke e bërë shërbimin më efikas dhe duke futur komponentin e edukimit qytetar për depozitimin korrekt të mbeturinave. Gazeta Flaka
















