Demitizimi i Shqiptareve ne Ballkan Noel Malcolm -Oliver Shmitt
Nga Memedali Jusufi
Noel Malcolm (lindur më 1956) është një historian, shkrimtar dhe analist britanik me famë ndërkombëtare, i njohur për studimet e thella mbi Ballkanin.
Ai është autor i veprave me ndikim si “Kosova: Një histori e shkurtër” dhe “Bosnja: Një histori e shkurtër”, duke ofruar analiza objektive për historinë shqiptare.Në vitin 1989 vizitoi Kosovën për ta ndjekur nga afër shënimin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës në Gazimestan dhe ishte dëshmitar i fjalimit të S. Milosheviqit të mbajtur me atë rast. Në qershor të vitit 1991 ai shkoi në Lubjanë dhe Zagreb, për ta ndjekur nga afër shpalljen e Pavarësisë së Sllovenisë dhe të Kroacisë.
Pas shpërthimit të luftës në Bosnjë më 1992, Malkolm-i shkroi shpesh për zhvillimet në atë republikë të ish-Jugosllavisë. Ishte këshilltar i kryeministres Margaret Theçer për Bosnjën dhe Ballkanin. Në vitin 1994 shkroi librin “Bosnja: Një histori e shkurtër”. Libri u vlerësua nga qarqet shkencore dhe politike dhe pati ndikim në vendimet e krerëve botërorë për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë. Më pas një kohë të shkurtër punoi si analist politik në të përditshmen britanike “Telegraf”.
Në këtë kohë filloi projektin për një libër historie për Kosovën. Gjurmoi arkivat në Bolonjë, Londër, Oksford, Paris, Vatikan, Venedik, Vjenë dhe Uashington. Libri “Kosova: Një histori e shkurtër” u botua në vitin 1998. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë reagoi ashpër për këtë botim, duke nxjerrë një vëllim punimesh që sulmonin librin.
Libri mbi Kosovën u përkthye në shqip, italisht, turqisht dhe bullgarisht.Në vitin 2001 N. Malkolm u bë anëtar i Akademisë Britanike, më 2002 u zgjodh hulumtues i lartë në “All Souls College” në Oksford.
Po në atë vit botoi një përmbledhje të shkrimeve të tij mbi jetën dhe mendimin e Tomas Hobsit. Më pas, si bashkautor, botoi një libër për matematikanin Xhon Pell (1611-1685), ndërsa në vitin 2012 botoi edicionin e tij për traktatin e filozofisë politike të Hobsit., “Leviathan”. Libri i tij më i ri “Agjentët e Perandorisë” (2015) ka për subjekt një familje deri më tani të panjohur shqiptare nga Ulqini, anëtarët e së cilës luajtën rol të rëndësishëm në historinë e disa shteteve europiane gjatë shekullit XVI.
Në vitin 1999 N. Malkolm u bë kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Angeleze. Më 2009, kur avokati ndërkombëtar me origjinë britanike, sër Majkëll Vud (Sir Michael Ëood) organizoi mbrojtjen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, N. Malkolm ishte këshilltar i tij. Në vitin 2004 N. Malkolm u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Është bartës i shumë mirënjohjeve dhe dekoratave. Jeton në Oksford
Oliver Jens Schmitt (lindur me 15 shkurt 1973 në Bazel) është profesor i historisë së Europës Juglindore në Univerzitetin e Vienës që nga viti 2005 dhe specialist në fushën e Albanologjisë. Gjithashtu Schmitt është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe antar nderi i Akademisë së Kosovës. Schmitt është i njohur për librin e tijë të famshëm “Skenderbeu”, një kritikë për biografinë e heroit kombetarë shqiptarë, Skënderbeut, vepër e cila shkaktoi debate në opinionin shqiptar për shkak se në veprën e vet Schmitt pretendon se nëna e “Skenderbeut”, Vojsava mund vinte nga familja serbe Brankoviq, ndërsa mbiemri Kastrioti ka mundësi që të jetë fjalë greke. Oliver Schmitt disa herë është akuzuar për sakrilegj ndaj figurës së heroit kombetar shqiptar, ndërsa perkthyesi Ardian Klosi u akuzua për tradhëti.
Ne vepren Shqiptaret ne mes Lindjes dhe Perendimit aktualizoi debatin Qose Kadare . Ai shkroi se Shqiptarët janë populli me shumicën më të madhe myslimane në Europë. Ata sot shtrojnë pyetjen, cilës botë i përkasin: botës islamike apo Europës së krishterë. “Çështja shqiptare” e veçanërisht e ardhmja e Kosovës, ka vënë në lëvizje edhe politikën evropiane. Nocionet “Lindje” dhe “Perëndim”, të përdorura në titull, nuk duhen kuptuar në mënyrë thelbësore – ato veç shënjojnë një fushë tensioni në të cilën lëviz deri më sot historia shqiptare.
Dy rrugë ofrohen tekefundit për të shkruar një histori të shqiptarëve: më njërën anë historia e një etnie që ekziston prej lashtësisë, që rrjedh prej popullit të lashtë të ilirëve e që pas përpjekjesh të pasuksesshme për krijimin e shtetit dhe pas sundimit të huaj shumëshekullor, arriti në vitin 1912 mëvetësinë e vet shtetërore, ndërkohë që me Kosovën, një shekull më vonë (2008), lindi një shtet i dytë shqiptar.
Më anë tjetër: një histori shqiptare si histori Ballkani, në të cilën mund të përshkruhen si nën një lente larmia e copëzimi gjuhësor, kulturor e social i një rajoni të madh europian.
Varianti i parë mbisundon në shoqëritë shqiptare në Ballkan, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme, pasi popujt fqinjë të Europës Juglindore e vështrojnë të kaluarën e tyre në të njëjtën mënyrë. Përfytyrimi i historisë shqiptare dhe identiteti kombëtar shqiptar kanë lindur në kontrast të fortë me popujt fqinjë, sidomos me grekët, serbët dhe malazezët dhe kanë marrë më së shumti si në pasqyrë modelet e tyre të të menduarit. Aq pak sa shqiptarët përbëjnë një përjashtim në Ballkan, po aq pak ndahen interpretimet historike kombëtare të Ballkanit nga një kuadër krahasues mbareuropian.
Ajo çka është mbrujtur në thelb në Europën Qendrore që prej shek. 19 si përfytyrim për kombin dhe për prejardhjen, vazhdon të jetojë sot në Ballkan nganjëherë më fort se tjetërkund në kontinentin tonë.
Nocioni i dytë, historia shqiptare si histori ballkanike, ndjek konceptin mbizotërues shkencor jashtë Ballkanit, sipas të cilit historia e një rajoni me shtetformime të reja moderne – Serbia u bë autonome më 1815, Greqia sovrane si shtet i parë veç më 1830 – dhe një larmi territoresh të vogla etnike dhe fetare, e cila deri më sot, me gjithë dëbimet dhe shpërnguljet masive, nuk është shkatërruar krejtësisht, nuk mund të shkruhet si një radhitje e njëpasnjëshme historish e shteteve dhe popujve.
Ky konceptim përforcohet nga format e larmishme të simbiozës dhe gërshetimit kulturor, fetar dhe shoqëror, përmes të përbashkëtave që, deri më sot, nuk kanë mundur të shuhen nga nacionalizmat shtetërorë, nga strukturat dhe pasuria gjuhësore e deri te kuzhina dhe shijet muzikore; madje edhe vetë modelet e të menduarit të nacionalizmit ngjajnë në këtë rajon në një mënyrë që bie fort në sy. Historiani kroat Milan fon Shuflaj (von Šuffl ay), në çerekun e parë të shek. 20, zhvilloi tezën sipas së cilës shqiptarët përbëjnë “monadën e Ballkanit”, meqë në historinë e tyre vjen e bashkohet në miniaturë krejt historia e Ballkanit, që nga lashtësia, me elementet e veta të vjetra ballkanike, greke, romane, sllave dhe osmano-turke.
Krishterimi katolik e ortodoks, islami sunit dhe një mbushullim urdhrash dervishësh vijnë e mblidhen këtu së bashku, në një rajon kufi – tar midis botës ballkanike bizantino-osmane dhe hapësirës adriatike romane, që qe për një kohë të gjatë venedike.
Si tezë të dytë Shuflaj skicoi atë të “simbiozës serbe-shqiptare” – e papërfytyrueshme sot për nacionalistët e të dyja anëve, megjithatë e dëshmuar mirë nga burimet, sidomos ato mesjetare. Historia shqiptare si histori Ballkani ravij on mbivendosjet shoqërore dhe kulturore midis shqiptarësh e grekësh, sllavësh të Jugut, romanësh të Ballkanit, turqish, italianësh, romësh dhe bashkësive mjaft të vogla hebreje. Megjithatë, kjo nuk bën që historia shqiptare të tretet në një rrëfim multietniciteti. Pasi një mënyrë e tillë të menduari, përveçse nuk është e saktë për nga përmbajtja, përshfaq në Ballkan edhe një dimension politik: prej shekullit 19, nacionalistët, sidomos në Greqi dhe në Serbi, ua mohojnë shqiptarëve një histori të vetën dhe i vështrojnë ata ose si një popull barbar pa kulturë, që duhet pushtuar dhe qytetëruar, ose si pjesë të kombit të vet, meqë gjithë ortodoksët shqiptarë “në të vërtetë”, për arsye të besimit të tyre, qenkëshin grekë, ndërsa shqiptarët myslimanë të Kosovës “në të vërtetë” serbë, që janë islamizuar e shqiptarizuar.
Nga frika e pretendimeve të tilla, historianët shqiptarë mohojnë identitetin e disafishtë dhe çdo ambivalencë kulturore. Vëzhguesi i paanshëm nuk duhet të ndjekë as mënyrat e të menduarit nacionaliste e as të stepet para ndjeshmërive nacionale, gjithsesi një përpjekje që është më e lehtë për t’u formuluar sesa për t’u zbatuar në dije, përballë emocionalizmit të sotëm, ende shumë të fortë, kur është fjala për historinë e Ballkanit.


















