Rritja e incidenteve me rënie nga ndërtesat në Maqedoninë e Veriut – Shënohet edhe një rasti tjetër
Ditët e fundit, Maqedonia e Veriut është tronditur nga një seri incidentesh tragjike që lidhen me rënien nga ndërtesat, duke prekur të rinj, të mitur dhe punëtorë ndërtimi, shkruan Flaka.
Më 14 mars, një mashkull 59-vjeçar, Zh.S. nga Kriva Pallanka, humbi jetën gjatë punimeve ndërtimore në një ndërtesë në ndërtim në Kisella Vodë të Shkupit. Ai u dërgua menjëherë në Kompleksin Klinik “Nënë Tereza” në gjendje kritike, por nuk mundi të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Inspektorati Shtetëror i Punës ka nisur hetimet për të verifikuar respektimin e protokolleve të sigurisë në kantier.
Mbrëmë në Tetovë, një 19-vjeçare ra nga ballkoni i katit të tretë të banesës ku jetonte. Ajo aktualisht ndodhet në gjendje stabile, por ka pësuar lëndime të rënda në shpinë. Policia dhe prokuroria, me ndihmën e zjarrfikësve, kanë kryer ekspertizën në banesë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Fatkeqësisht, ky fenomen nuk është i izoluar. Më 3 mars, një fëmijë 10-vjeçar nga Tetova humbi jetën pas rënies nga terasa e banesës së tij. Gjithashtu, më parë në Shkup, një nënë dhe vajza e saj e mitur humbën jetën duke u hedhur nga një ndërtesë, ngjarje për të cilën familjarët akuzojnë institucionet për mosveprim ndaj denoncimeve për dhunë në familje.
Autoritetet policore dhe prokuroria po punojnë për zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve, ndërsa institucionet shëndetësore dhe Inspektorati i Punës monitorojnë kushtet e sigurisë, sidomos në kantieret e ndërtimit.
Ekspertët paralajmërojnë se këto raste tregojnë një problem të dyfishtë: mungesën e sigurisë në punë dhe nevojën për ndërgjegjësim të publikut për rreziqet në hapësirat private dhe publike, si dhe rëndësinë e masave preventive për fëmijët dhe të rinjtë.
Rënia nga ndërtesat është një fenomen tragjik që prek çdo moshë dhe kontekst, dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme institucionale për të parandaluar humbje të mëtejshme jete. Gazeta Flaka
















